Lajme

Nuk e vranë shqiptarët, piloti grek rrëfehet: Vrava gruan se donte divorcin

Piloti 32-vjeçar Charalambos Anagnostopoulos është arrestuar nga policia greke pasi ka pranuar vrasjen e gruas së tij, 20-vjeçares britanike Caroline.

Ai pranoi pas më shumë se tetë orësh pyetje se kishte vrarë gruan, shkruan Protothema. Sipas Anagnostopoulos, shkak i vrasjes janë bërë mosmarrëveshjet që ata kanë pasur si çift me njëri-tjetrin, duke u shprehur se në ditën e ngjarjes tragjike, e ndjera i kishte thënë se do të divorcohej prej tij, do i merrte vajzën dhe do të largohej nga shtëpia e tyre.

Ai ka treguar se këto debate kanë qenë të vazhdueshme në 5 muajt e fundit.

Fillimisht piloti 32-vjeçar tha se nuk ka dorë në vrasjen e bashkëshortes. Pas ngjarjes u dyshua se në vrasjen e 20-vjeçares ishin përfshirë disa shqiptarë. Por të dhënat e dala nga telefoni i tij treguan se ai nuk kishte thënë të vërtetën.

Një aplikacion në celularin e tij që regjistron hapat, tregoi se kur ai pretendonte se ishte i lidhur, ai po ecte. Karta e kujtesës në kamerën e sigurisë u hoq në 1:20 të natës, ndërsa “grabitësit” dyshohet se kanë hyrë në shtëpi tre orë më vonë.

Regjistrimi i fundit në kamera ishte rreth orës 12:30 të natës fatale dhe tregon pilotin të ulur me fëmijën në dhomën e ndenjes së shtëpisë.

Krimi i rëndë tërhoqi vëmendjen e publikut në çdo aspekt, që prej rrëfimit dhe imazhit prekës të policit që mori në krah foshnjën e çiftit që ndodhej pranë nënës së saj të vdekur, deri te përfshirja e një bande imagjinare grabitësish shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë