Muzike

‘Notre-Dame De Paris’ për herë të parë në Tiranë (dhe rajon), përfaqësuesja shqiptare: Negociata sfiduese për ta sjellë këtu

Nga Gazeta Si - Të dielën, më 28 maj do të vijë për herë të parë në Shqipëri muzikali i rekordeve Guinnees dhe spektakli më i shikuar në Europë “Notre-Dame De Paris”.

Trupa e parë e produksionit gjigant do të zbarkojë në kryeqytet për t’i dhuruar publikut shqiptar një ndër historitë më mbresëlënëse të të gjithë kohërave.

Drama e Kuazimodos dhe ciganes Esmeralda, bazuar në veprën e shkrimtarit Viktor Hygo prej 25 vitesh tashmë lë gojëhapur spektatorët në katër anët e globit.

LEXO EDHE:
‘Llogarisnim lekët e benzinës, sa do hante ai, sa unë’. Elhaida Dani: Me makinë të vjetër, 15 orë në ditë, babai më çonte në audicionet nëpër Europë

Nën muzikën e kantautorit italian, Riccardo Cocciante dhe me tekstshkrues Luc Plamondon “Notre Dame de Paris” është gati të mbajë peng për rreth 150 minuta zemrën e secilit që do të jetë i pranishëm në stadiumin “Air Albania”.

Përfaqësuesja e produksionit shqiptar për këtë shfaqje, Ana Haxhimali thotë për Gazetën “Si” se ka qenë shumë sfiduese pjesa e organizimit dhe janë dashur negociata të gjata për t’i sjellë ata në Tiranë.

“Natyrisht kemi të bëjmë me një produksion gjigant dhe duke pasur një produksion gjigant kushtet që i duhen ofruar këtij produksioni janë shumë specifike, por më në fund ia dolëm. Kuadr Events ka bërë një punë fantastike duke vendosur një shfaqje të këtyre përmasave në një arenë siç është ajo e stadiumit ‘Air Albania’”, thotë Ana Haxhimali.

Shfaqja muzikore ikonike që bën bashkë 65 artistë nga e gjithë bota do të sjellë në skenë copëza të një kujtese kolektive. Pjesë e kastit origjinal në këtë musical është edhe këngëtarja Elhaida Dani, e cila do të sjellë “Esmeraldën” e Notre Dame de Paris.

“Bëhet fjalë për artistët e kastit origjinal, ka vetëm një kast që performon këtë shfaqje dhe është ai i cili vjen në Tiranë. Kemi emra me rëndësi, natyrisht Elhaida Dani është një vlerë e shtuar e këtij kasti, por kemi shumë emra të njohur që prej vitesh performojnë këtë shfaqje në gjithë arenat ndërkombëtare”, vijon më tej Haxhimali për Gazetën “Si”.

Këngëtarja Elhaida Dani, e cila është në një nga rolet kryesore në këtë shfaqje është shprehur për musicalin se “është diçka që më bën krenare, sepse e meriton ky vend. Është 360 gradë një histori dashurie, hakmarrje, lirie. Kërkon liri. Populli do të dashurohet në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse të ndryshon jetën”.

Musicali që do vijë më 28 maj në “Air Albania” do të zërë vend për herë të parë edhe në rajon, ndaj pritet që të vijnë spektatorë edhe nga vendet e Ballkanit.

“Kjo shfaqje në Tiranë merr përmasat e një koncerti rajonal, duke qenë se nuk e kemi pasur ‘Notre Dame de Paris’ në rajon. Kemi pasur dhe vijojmë të kemi dita-ditës interes edhe nga artdashës dhe nga publik ndërkombëtar dhe nga vendet e rajonit. Natyrisht edhe nga përfaqësues të ndryshëm nga vendet e rajonit, të cilët e kanë parë si mundësi shumë të mirë për ta parë këtë shfaqje në Tiranë, duke qenë se iu vjen kaq afër dhe duke qenë se në rajon nuk e kemi pasur më përpara”, thotë ndër të tjera Ana Haxhimali për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “produksioni është menduar t’u ofrojë të gjithë spektatorëve që do të jenë të pranishëm një përjetim unik, duke u mundësuar atyre që ta shohin njësoj nga secili skaj i stadiumit, të titruar në ekranet mbështetës mjeshtërisht në gjuhën shqipe”.

Historiku i musical-it

“Notre-Dame de Paris” është një shfaqje muzikore (musical) e cila e bëri debutimin e saj të parë më 16 shtator 1998 në Paris. Historia bazohet në romanin Notre-Dame de Paris (i njohur në anglisht si The Hunchback of Notre-Dame) nga shkrimtari francez Viktor Hygo. Muzika u kompozua nga Riccardo Cocciante ndërsa teksti mban vulën e Luc Plamondon.

Që nga debutimi i parë shfaqja është luajtur në Belgjikë, Kanada, Kinë, Francë, Itali, Japoni, Liban, Luksemburg, Poloni, Rusi, Singapor, Korenë e Jugut, Spanjë, Zvicër, Tajvan, Turqi, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, dhe është përkthyer në dhjetë gjuhë. Disa këngë nga spektakli, si “Vivre”, “Belle” dhe “Le temps des cathédrales”, janë publikuar si single, duke korrur kështu një sukses të jashtëzakonshëm.

Notre-Dame de Paris, sipas Librit të Rekordeve Guinness, është shfaqja më e suksesshme ndonjëherë në vitin e parë të debutimit të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë