Histori

Nostalgjia, ‘trofeu’ i vërtetë i vlonjatëve në 100-vjetorin e Flamurtarit!

Gazeta Si – Është mbyllur java e festimeve të 100-vjetorit të klubit ‘Flamurtari’ të Vlorës, një nga skuadra shqiptare që ka bërë më tepër zhurmë, bujë, në sajë të sukseseve të mëdha me Barcelonën, apo edhe me Partizanin e Beogradit.

Kanë kaluar përvjetorë, por Flamurtari, i cili ka prodhuar historikisht elementë të rëndësishëm për ekipin tonë kombëtar, vazhdon të mbahet si etalon historisë dhe nostalgjisë në futbollin shqiptar.

Një pjesë e rëndësishme që kontribuon në statusin që mban një skuadër futbolli, por djemtë e rinj sot apo edhe pak më të mëdhenj, për fat të keq janë të paktë në stadiumin e tyre. Edhe kur shkojnë, më tepër për të shfryrë dufin dhe problemet e tyre të së përditshmes me ofendime, se sa për të ndjekur apo duartrokitur ekipin e zemrës.

'Sporti Popullor' shkruan për Flamurtarin e kohëve të arta. Gazeta Si, 27 mars 2023

Kushdo që ka lindur në mesin e viteve ’80 dhe akoma më pak brezat e viteve ’90, apo ‘2000, dinë diçka nga ajo që ka ndodhur në ato vite, në atë dekadë kur Flamurtari mori përpara edhe emrat e mëdhenj europianë, të paktën në Vlorë, duke u kualifikuar në ndonjë raund, por mbi të gjitha duke mos iu dorëzuar askujt.

Ja çfarë shkruante gazeta e vetme sportive e atyre viteve, “Sporti Popullor”, për Flamurtarin dhe ndeshjet e tij me Barcelonën:

13.500 shikues në stadiumin “Flamurtari”! Fitore 1-0 me Barcelonën në ndeshjen e kthimit të turit të tretë. Të mërkurën, më 9 dhjetor, ora 13:30, në stadiumin “Flamurtari” të qytetit të Vlorës:

FLAMURTARI: Arapi - P.Ruci, Çipi, Taho, Iljadhi - Ferko, Daullja, Ziu, Memushi - Kushta, V.Ruci. Trajner: L.Çurri.
BARCELONA: Zubizarreta - Herardo, Miguel, Manolo, Moratalja (Salva 31’) - Roberto, Karasko, Shuster, Kaldere - Urbano, Lineker. Trajner: L.Arragones.
Shënues: Kushta 15’
Gjyqtarë: Z.Kirshen, G.Haterman, K.Hagen (RDGJ)
Shikues: 13500. Kornet: 5:4

Faksimile e 'Sportit Popullor' për suksesin e Flamurtarit në Beograd në 1987-ën. Gazeta Si, 27 mars 2023

… Vlora sportive në pak më shumë se një vit priti për të dytën herë spanjollët e Barcelonës. Qielli i ngarkuar me re, furtuna dhe shiu i rrëmbyeshëm i pazakontë për qytetin bregdetar, nuk e shuan entuziazmin pasionant të sportdashësve vendës, që inspironte jo vetëm fitoren, por diçka më shumë…

… Në fushë krijohen çifte interesante. Taho mbulon pa asnjë lëshim golashënuesin më të mirë të botërorit të Meksikës, Geri Linekerin. Memushi dylufton burrërisht me Shusterin, Kushta del disa herë fitues ndaj Manolos e të gjitha këto bëjnë që të krijohen të çara dhe korridore e futbollistët të shfaqen përpara Zubizarretës.

Pikërisht në një rast të tillë (minuta e 15-të) shpërthim i V.Rucit, frenim i tij dhe goditje dënimi. Ekzekutim mjeshtëror nga Ferko dhe Kushta, pas asaj shkëputjeje të fuqishme, ngrihet lart mbi mbrojtësit spanjollë dhe me saktësi e dërgon topin në këndin e djathtë (atje ku një vit më parë shënoi edhe V.Ruci) dhe gol, 1-0. Është një gol i bukur dhe entuziast, që mbart me vete besimin dhe ambiciet për më tej.

Një tjetër artikull i 'Sportit popullor' për Flamurtarin e viteve '80. gazeta Si, 27 mars 2023

Bukur, shumë bukur Flamurtari! Në 15 minutat e para e sheh veten në epërsi. Ka edhe 75 minuta të tjera lojë, të mjaftueshme për ndryshime të reja, që siç u shpreh kapiteni i Barcelonës, Moratalja, ‘pësimi i golit na e vështirësoi arritjen e kualifikimit’.

Dhe kështu nuk është pak të themi që Flamurtari i madh i futbollit shqiptar u përket nostalgjikëve. Sezoni 1990/1991, që përkoi edhe me ndryshimin e regjimit politik në vend, apo edhe me një sërë ndryshimesh, i dha dhe titullin e parë dhe të vetëm Flamurtarit, 2 Superkupa në vitet 1990, 1991, apo 4 Kupa Shqipërie të ndara dy në epokën e madhe të viteve ’80, saktësisht në vitet 1984-85, 1987-88, dhe dy të tjera në edicionet futbollistike 2008-09, 2013-14.

Nga Dinamo te Dinamo
Takimi i fundit i Flamurtarit, pasi ra nga kategoria, ishte ai me Dinamon. Këto dy skuadra janë ndeshur edhe në raundin fillestar të Kupës së Shqipërisë, kur blutë nga kryeqyteti fituan me shifrat 1-2 në Vlorë, më 11 janar të vitit 2020.

20 mars 2023, sërish Flamurtari-Dinamo, po në Vlorë. Kryeqytetasit fitojnë mes kontestimeve 0-1, një fitore që vlen shumë në synimin për t’u kthyer të dyja skuadrat në elitën e futbollit shqiptar, siç është kategoria Superiore, pasi të dyja kanë të njëjtin qëllim.

Po nëse Dinamo e provoi një vit më parë dhe ra sërish në Kategorinë e Parë, Flamurtari prej vitit 2020 nuk po arrin dot të jetë aty ku i takon, siç thonë vlonjatët, siç shkruan historia për këtë skuadër, që sot ngjan një kopje e keqe e asaj të viteve ’80, pa vlonjatë, pa grintë dhe pa sukses. E megjithatë, nëse në këtë 100-vjetor ata janë kokulur, një gjë nuk ia zhbëjnë dot vlonjatëve, emrin e tyre që ngritën lart në arenën europiane dhe që mbeti në nostalgjinë e çdo futbolldashësi, si trofeu i vetëm i 100-vjetorit në futbollin shqiptar…

Ja rruga e bukur e Flamurtarit në Kupën e UEFA-s në sezonin 1987-88
1/32 e finaleve
10.09.87: Flamurtari-Partizan Beograd 2-0 (Xhorxheviç (autogol) 31’, R.Iljadhi 83’)
30.09.87: Partizan Beograd-Flamurtari 2-1 (S.Kushta 76’)

1/16 e finaleve
21.10.87: Vismut Aue–Flamurtari 1-0
04.11.87: Flamurtari-Vismut Aue 2-0 (Rr.Taho 4’, V.Ruci 73’)

1/8 e finaleve
25.11.87: Barcelona-Flamurtari 4-1 (V.Ruci 71’)
09.12.87: Flamurtari-Barcelona 1-0 (S.Kushta 15’)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë