Politike

Nostalgji? Meta e nis ditën me Ruçin dhe me një foto me Ramën në sfond

Dëshmia përpara komisionit hetimor e presidentit Ilir Meta shkaktoi një habi të madhe për faktin se socialistët në këtë përballje ishin të zbutur dhe jo të ashpër ndaj njeriut që kanë vënë nën akuzë për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Në këtë seancë dëgjimore më të “egër” me pyetjet e tyre ishin deputetët e opozitës së re, se sa ata që kishin firmosur kërkesën për shkarkimin e presidentit.
Dëshmia përpara komisionit e presidentit, u mbyll me një kafe në zyrën e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, si një sinjal ky që me mazhorancën marrëdhëniet mund të marrin një rrjedhë tjetër.
Një ditë pas “luftës” në komision, presidenti e nisi sot ditën po me një postim me Ruçin, si për të kujtuar se takimi me të kishte lënë shumë mbresa.
“Ishte kënaqësi dje të rikthehesha në Kuvend. Po kështu të shkëmbeja disa mendime dhe kujtime me Kryetarin e Kuvendit, z.Gramoz Ruçi. Së bashku ramë dakord se dy grupet parlamentare më cilësore opozitare kanë qenë ai i PD në '91-'92 dhe ai i PS në '92-'96. Kjo më përforcon bindjen se në demokraci, cilësia është më e rëndësishme se sasia, për të udhëhequr ndryshimin e një shoqërie, edhe kur “sasia” duket fuqiplotë”, shkruan Meta në postimin e tij në Facebook.

Në këtë qëndrim që më tepër sulmon liderin e PS-së, shoqërohet dhe me foton ku Meta shtrëngon dorën me Ruçin, e në sfond dukej Rama, i cili i sheh si me xhelozi.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/photos/a.1479540228758912/2476888942357364/?type=3&theater

Seanca e komisionit ngriti shumë pikëpyetje, duke bërë që të aludohej nëse mes presidentit dhe mazhorancën ka një afrim dhe po kërkohet të arrihet një marrëveshje. Dyshime për mbledhjen e komisionit ngriti edhe anëtari i opozitës, Halit Valteri, pasi sipas tij, më herët kryekomisioneri Ulsi Manja i kishte kërkuar që t’i viheshin paraprakisht pyetjet në dispozicion që do t’i bëheshin kreut të shtetit, duke e cilësuar si një shfaqje të turpshme.
"Në dukje e pabesueshme, por tek fytyrat e secilit prej tyre mund të lexoje fare lehtë një shprehje nostalgjie, ndoshta për kohët e tenxheres të mbushur plot, se si e shkëlyenin të babzitur dhe ngjyenin gishtat me çapa, deri në kafshatën e fundit?! Kurse disa të tjerë mu dukën të frikësuar, a thua se i hyri lugati në derë, e me vrap ti bënin ca pyetje për të kaluar radhën", tha Valteri pas dëshmisë së Metës.
“Madje kryekomisioneri, kryepërfaqësuesi i 55 deputetëve të partisë që mblodhi firmat për shkarkimin e presidentit, kush nuk e ka kuptuar bëhet fjalë për të egrin, të tmerrshmin, të llahtarishmin z. Ulsi, na propozoi në mënyrë të turpshme, që t’i mblidhnim pyetjet tona të gjitha bashkë e t’ia jepnim presidentit, e ai më pas të na kthente përgjigje. Ishte që ishte Ulsiu, kot nuk na kërkoi t’ia dërgonim me email presidentit pyetjet dhe të na kthente përgjigje pastaj me “CC”, kur të kishte terezi. Aq shumë ranë në sy nga falënderimet, sa mediat nisën të dyshojnë, se mos kishte ngelur ende ndonjë shkëndijë e vjetër nga miqësia e tyre. Ore ndoshta nuk kishte faj Ulsiu, ndoshta u tremb i shkreti kur i hyri në derë “bariu”, shkruan deputeti Valteri në postimin e tij në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë