Financa Personale

Normat e interesit të depozitave në lekë arrijnë rekordin e 7 viteve të fundit

Normat e interesit të depozitave me afat në Lekë lëvizën lehtë në korrik drejt një maje tjetër. Megjithëse  interesi duket i vogël 1,04 për qind ky është niveli më i lartë i shënuar në të paktën shtatë vitet e fundit.

Një nivel i përafërt, por lehtësisht më i ulët, ishte shënuar në janar 2018, kur norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat kishte qenë 1.03%.

Rritja më e ndjeshme është parë tek depozitat më afatgjata, ato me maturitet 5-vjeçar, ku norma mesatare e interesit ka arritur në 3%, nga 2.36% që kishte qenë në fund të marsit, kur Banka e Shqipërisë aplikoi rritjen e parë të normës bazë të interesit.

Shifrat sygjerojnë se ndryshimi në kahun e politikës monetare dhe rritja e normës bazë po fillojnë të reflektohen edhe në normat e interesit të depozitave, megjithëse me ritme të ngadalta.

Kjo tendencë mund të jetë pjesërisht e lidhur edhe me sezonin veror, që historikisht ka sjellë rritje të fluksit të depozitave bankare, për shkak të prurjeve nga turizmi dhe nga emigrantët. Në fakt, shifrat e muajit korrik këtë vit treguan një rënie të lehtë të depozitave, zhvillim shumë i rrallë në këtë periudhë të vitit.

Një tjetër faktor mund të jetë gara mes bankave. Disa prej tyre kanë dalë në treg me norma ndjeshëm më të larta interesi. Trysnia e lidhur me konkurrencën mund të jetë faktori me ndikimin më afatshkurtër në rritjen e interesave të depozitave.

Megjithëse sektori në Shqipëri është mjaft likuid, me një raport mes kredive dhe depozitave pranë nivelit të 45%, ky raport është shumë i ndryshëm për banka të ndryshme. Bankat që e kanë këtë tregues në nivele më të ulëta, kryesisht bankat e mëdha të sektorit, mund të mos kenë shumë shtysa për të reflektuar shpejt rritjen e normave të interesit. Por, bankat që kanë më pak depozita të painvestuara tashmë kanë stimuj për të ofruar interesa më të larta, sepse normat e interesit në krahun e aktiveve po rriten.

Norma bazë e interesit është rritur nga 0.5% në 1.75% në harkun e afërsisht katër muajve dhe banka qendrore ka paralajmëruar një shtrëngim të mëtejshëm monetar gjatë muajve të ardhshëm. Kjo politikë është reflektuar në përmasa të dukshme sidomos në tregun primar të instrumenteve të borxhit qeveritar, ku yield-et janë rritur me ritme shumë të shpejta.

Yield-e t ënë rritje të bonove dhe obligacioneve mund të konkurrojnë tashmë qartazi edhe depozitat bankare. Shumë investitorë të vegjël mund t’i zhvendosin kursimet nga depozitat bankare drejt instrumenteve të borxhit qeveritar. Rritja e yield-eve gradualisht do të shtrijë efektet e veta edhe në huatë afatgjata të sektorit privat.

Tani që tregu po ofron kthime më të larta nga investimet financiare, edhe normat e interesit të depozitave po lëvizin nga “letargjia” ku ndodheshin prej shumë vitesh, pranë niveleve minimale historike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë