Treg

Normat e interesit ka të ngjarë të bien në nivelet e para Covid-it, parashikon FMN

Normat e interesit në ekonomitë kryesore, pritet të bien në nivelet e para pandemisë, për shkak të produktivitetit të ulët dhe plakjes së popullsisë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tha se rritja e kostove të huamarrjes, ka të ngjarë të jetë “e përkohshme”, pasi inflacioni i lartë të vihet nën kontroll.

Banka e Anglisë ka rritur normat e interesit, që nga dhjetori 2021, duke i çuar ato nga 0.1% në 4.25%.

Kjo ka rritur pagesat e hipotekës për shumë pronarë shtëpish.

Bankat qendrore në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Europë dhe vende të tjera, kanë ngritur normat e interesit për të luftuar normën e rritjes së çmimeve, e njohur ndryshe si inflacion.

Në MB, inflacioni është në nivelin më të lartë për gati 40 vjet, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe rritjes së kostove të ushqimit. Një numër faktorësh po nxisin inflacionin, duke përfshirë pushtimin rus të Ukrainës, i cili ka nxitur rritjen e kostove të energjisë.

Megjithatë, FMN-ja tha se “rritjet e fundit në normat reale të interesit, ka të ngjarë të jenë të përkohshme”.

Kur inflacioni të kthehet nën kontroll, bankat qendrore të ekonomive të zhvilluara, ka të ngjarë të lehtësojnë politikën monetare dhe të kthejnë normat reale të interesit drejt niveleve para pandemisë.”

Institucioni financiar me bazë në Uashington tha se plakja e popullsisë, do të ishte një faktor që ka të ngjarë të ulë inflacionin.

Duke shpjeguar pse njerëzit e moshuar ndikojnë në inflacion, George Godber, menaxher i fondeve në Polar Capital, tha se ata priren të shpenzojnë më pak.

“Shuma që shpenzoni në raport me të ardhurat tuaja, është më e larta kur jeni në të 20-at, 30-at dhe 40-at – shpesh janë familje të reja, kur ju keni krijuar familje. Çiftet priren të shpenzojnë më së shumti, kur mobilojnë shtëpinë dhe blejnë një makinë ose çfarëdo tjetër, ndërsa me rritjen e moshës, ngadalësohet konsumi”, tha ai.

Andrew Bailey, guvernator i Bankës së Anglisë, tha kohët e fundit se në Mbretërinë e Bashkuar, pjesa e të rriturve të moshës 20 dhe 59 vjeç, ka rënë nën 65% në dekadën e fundit “dhe do të bjerë më tej në të ardhmen”.

Ai tha se kjo është nxitur nga rënia e lindshmërisë si dhe nga njerëzit që jetojnë më gjatë.

FMN tha gjithashtu se produktiviteti i ulët – matja se sa mallra dhe shërbime prodhohen – do të ulte inflacionin.

Në një fjalim muajin e kaluar, zoti Bailey tha se përpara krizës financiare në 2008, produktiviteti i Mbretërisë së Bashkuar ishte rritur nga sektori i prodhimit të vendit.

“Por pas krizës financiare, rritja e produktivitetit të prodhimit ra ndjeshëm. Kjo rënie e produktivitetit të prodhimit është shkaku kryesor i ngadalësimit,” tha ai.

Pak para pandemisë Covid, norma e interesit në Mbretërinë e Bashkuar ishte 0.75%, por Banka e Anglisë e uli atë dy herë në Mars 2020 në 0.1% pasi vendi hyri në bllokim.

Norma e inflacionit, është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë dy viteve të fundit dhe arriti në 10.4% në shkurt – më shumë se pesë herë më e lartë se objektivi i Bankës së Anglisë prej 2%.

Pas vendimit për të rritur përsëri normat e interesit në Mbretërinë e Bashkuar në mars, Banka e Anglisë tha se priste, që inflacioni “të bjerë ndjeshëm gjatë pjesës tjetër të vitit”.

Kjo është për shkak të ndihmës së vazhdueshme të qeverisë, për faturat e ngrohjes për familjet, nëpërmjet skemës së Garancisë së Çmimeve të Energjisë (Energy Price Guarantee Scheme), si dhe rënies së çmimeve të gazit. 

Burimi: BBC/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë