Lajme

Noka: Dako duhet të ishte në burg

Partia Demokratike përsëriti edhe sot kërkesën për arrestimin e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Deputeti demokrat, Flamur Noka, në një dalje për mediat tha se Vangjush Dako tashmë duhet të ishte në burg, pasi është tërësisht e provuar se ka bashkëvepruar me bandat e Durrësit për blerjen e votave.

“Vangjush Dako ka bashkëpunuar me bandat e Durrësit, duke i përdorur ato për të blerë vota për pushtetin e tij dhe Edi Ramës. Për këtë krim duhet të jetë në burg. Faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë tërësisht të qarta. Përgjimet në dosjen 339 janë të plota dhe provojnë lidhjen e tij me bandën e Avdylajve, disa prej të cilëve janë në burg për trafik droge si pjesë e së njëjtës dosje hetimore. Dako dështoi të mashtronte shqiptarët se nuk dinte aktivitetin kriminal të Avdylajve dhe se i ka takuar ata vetëm për zgjedhje si gjithë qytetarët e Durrësit pa u bërë asnjë favor”, u shpreh deputeti demokrat.

Deputeti demokrat tha se mosarrestimi i Dakos është dëshmia më e qartë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar dhe e shkatërrimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Mosarrestimi i Dakos është prova e shkatërrimit total të prokurorisë së krimeve të Rënda. Mosarrestimi i Dakos hedh në erë alibitë qesharake për suksesin e reformës në drejtësi. Ndodhemi para një momenti dramatik për fatin e drejtësisë dhe të vendit. Nuk mund të ketë as drejtësi as paqe sociale, kur arrestohen dhe mbahen në burg ata që protestojnë për bukën e gojës dhe bredhin të lirë politikanë kriminelë si Vangjush Dako, vetëm pse gëzojnë mbështetjen e kreut të qeverisë. Në Shqipëri nuk ka për të pasur as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal, pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës!”, përfundoi deputeti Noka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë