Muzike

Njomza, tjetër yll shqiptar për muzikën botërore

Karriera e saj nuk ka pasur shpërthimin e menjëhershëm e të bujshëm, shoqëruar me një dorë të mirë të fatit që të vendos në vendin e duhur, në kohën e duhur e me njerëzit e duhur. Megjithatë Njomza Vitia duket se ka të gjithë potencialin për të qenë një tjetër yll shqiptar në muzikën botërore si Rita Ora, Dua Lipa e së fundi Era Istrefi. Nuk është habi që edhe 24 –vjeçarja nga Çikagoja –ashtu si treshja e shqiptareve të famshme – i ka rrënjët nga Prishtina.

Pasi kishte kënduar në spektakle talenti në qytetin e saj, pasi kishte krijuar edhe "Scarlett"-in,  një grup muzikor gjatë viteve të adoleshencës, vendosi  të ndiqte ëndrrën e saj drejt famës, e vetme. Në epokën e teknologjisë së informacionit dhe shkëlqimit të rrjeteve sociale që  kanë aftësinë dhe pushtetin të të bëjnë të famshme brenda një çasti, ajo vendosi të hapë një kanal në Youtube, ku postonte këngë të kompozuara vetë, por edhe pjesë të njohura të këngëtarëve të mëdhenj. Veç mijëra ndjekësve arriti të tërheqë edhe vëmendjen e rreperit dhe producentit amerikan, Mac Miller. Ishte vetëm 19 –vjeç kur nënshkroi kontratën me shtëpinë e tij diskografike, “Remember” e menjëherë erdhi CD-ja e parë, me një përzierje këngësh, titulluar “Gold Lion”.

Për të shkuar aty ku dëshironte – të bashkëpunonte me artistë të ndryshëm e të bënte koncerte në të gjithë Amerikën – i është dashur të punojë e t’i hedhë hapat të vegjël e një nga një.  Eksperimentimi në kanalin e saj të Youtube-it i dha lirinë të eksperimentonte me tingujt dhe vokalin e saj. “Ka një këngë të titulluar “Someone like you” që tingëllon më pak si kënga e Adele sesa si “Weeknd” e Rolling Stone. Megjithatë është e mrekullueshme.

Diku tjetër ka një këngë  në Banks tine titulluar “Take me” dhe një cover të  “Take care” nga Drake dhe Rihanna në Youtube ku shikuesit janë ankuar për zhveshjen e saj, kur duhet të fokusoheshin te vokali dhe estetika  e përgjithshme që e vendos Njomzën si një këngëtare baladash post  epokës së shtëpisë diskografike Brainfeeder;  një pikë takimi mes Miley Cyrus dhe Flying Lotus”, kështu përshkruhet nga gazeta britanike “The Guardian”, e cila e rendit Njomzën si një ndër yjet që po lindin në muzikën pop.

“Ka shumë emocion brenda saj dhe jam shumë i lumtur që po bie në kontakt me njerëz”  ka thënë producenti i saj Mac Miller për Njomzën. Qysh kur nënshkroi me shtëpinë e tij diskogrfike e pozicionoi me shpejtësi veten në hapësirën e muzikës elektronike.

Pas një rruge të stuhishme me këngë dhe bashkëpunime me disa nga të suksesshmit e botës së muzikës rap, këngëtarja dhe kantautorja , u shfaq krejt vetëm, me albumin e saj të parë “Sad for you”, i cili u publikua në ShBA,  vitin e kaluar. Ka marrë çka mësuar nga bashkëpunëtorët e mëparshëm si  Mac Miller, Skrillex, FKi dhe po i aplikon në muzikën  pop që sjellin atmosferën e tingujve R&B  të viteve ’90 me kompozime moderne. Dy vitet që e sollën tek “Sad for you” e panë Njomzën të përpunonte tingullin e saj ndërsa nuk u shfaq në koncerte apo festivale.

Në vitin 2011, publikoi këngën e saj të parë, titulluar “Nightmare” , një  vit më vonë në 18-vjetorin e saj prezantoi baladën “Ridin Solo”. Më 2013-ën realizoi videoklipin “High” e po në të njëjtin vit realizoi edhe albumin mixtape “Gold Lion” dhe pati edhe dy bashkëpunime me rreperë të njohur si Fki në  kripin “For What It’s Worth” dhe Lil Debbie me “Tell me”.

https://www.youtube.com/watch?v=bOi_Qogo6vM

Albumi i parë ishte edhe pika e kthesës, për të lënë përfundimisht Çikagon dhe për t’u shpërngulur drejt Los Anxhelosit, ku mundësitë për të krijuar kontakte me  yjet e muzikës botërore janë edhe më të mëdha. “Bëja muzikë në Çikago dhe jetoja në një shtëpi me prindërit dhe  ndjeva se duhet të dilja dhe të eksploroja  tinguj të rinj dhe atmosferë të re. Ikja ishte thelbësore sepse më ndihmoi të ndiqja projektin.”- ka thënë në një intervistë për “Vice”, Njomza.

Ajo ka lindur në Gjermani, ndërsa prindërit e saj emigruan më vonë drejt Shteteve të Bashkuara. Flet rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe ndërsa e pyesin  për origjinën, thotë se përpiqet ta përfaqësojë mirë komunitetin shqiptar dhe e ka ndjerë që herët mbështetjen që i ka ardhur prej shqiptarëve.

Por ambiciet e  saj i tejkalojnë ato të komunitetit shqiptar, e megjithëse amerikanët dhe anglishtfolësit e kanë të vështirë t'ia  shqiptojnë  emrin, duke e shoqëruar shpesh me  germëzim dhe me domethënien që ka në gjuhën shqipe, vlerësojnë talentin e  lindur dhe potencialin për t’i dhënë hov karrierës së saj muzikore. Në intervistat e para thoshte se dëshironte t’u ngjante artisteve si Amy Winehouse dhe Janis Joplin, ndërsa për kritikën zëri i saj i dallueshëm ka fuqinë ta  mbështjellë e ta shoqërojë dëgjuesin në hapësira të një bote tjetër...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë