Njerez

Njihuni me britaniken që po mbledh bluza futbolli për fëmijët shqiptarë

Erdhi në Sarandë për një eveniment bamirësie, por një britanike u prek kaq shumë nga dashuria e fëmijëve shqiptarë për futbollin, sa vendosi të ndërmarrë një kauzë të madhe.

Ajo është duke mbledhur bluza futbolli për të gjithë jetimët në Shqipëri pasi u mahnit nga pasioni i tyre për sportin. Victoria Dunne, një fizioterapiste nga Hennerton kaloi dy javë në qytetin e Sarandës në maj të këtij viti, në mbështetje të një eveniment bamirësie.

Ajo vizitoi Shtëpinë e Shkollarëve për të ndihmuar disa prej fëmijëve me aftësi të kufizuara që strehohen në këtë qëndër. 43-vjeçarja vizitoi qytezën turistike për të marrë pjesë në një aktivitet të mbajtur nga një organizatë bamirësie e themeluar nga dy miqtë e saj, Steve Courtney dhe bashkëshortja e tij Ruth, tetë vjet më parë.

Ajo vuri re se shumë nga jetimët nuk kishin pothuajse asgjë, por kishin veshur këmisha sipër të cilave kishin vizatuar stemat e ekipeve të futbollit anglez duke përfshirë Chelsean dhe Arsenali. Ajo u mahnit nga dijenitë e tyre mbi futbollin.

Dunne, e cila ka dy vajza të vogla, Annabellën dhe Penelopën, rrëfeu për mediat britanike se: "Ata krenoheshin pa fund me vizatimet në këmishat e tyre. Ata dinin gjithçka për Premier League dhe kur thashë se isha nga Londra, më pyetën nëse isha me Chelsean apo Arsenalin. Një djalë kishte veshur një fanellë të Bolton Wanderers. Pas dy vjetësh ai do të bëjë 16 vjeç dhe do të detyrohet të lërë jetimoren. Ai nuk ka familje apo përkrahje. E vetmja gjë që ka është ajo këmishë me nurmin e Bolton.

Jetimorja në Sarandë

Kur u kthye në shtëpi, zonja Dunne u ndie e detyruar të bënte diçka për fëmijët shqiptarë. Tanimë ajo ka marrë një nismë kombëtare për të mbledhur sa më shumë bluza futbolli  dhe për t’i dërguar në Shqipëri. Britanikja u ka lënë qindra mesazhe grupeve të komuniteteve në Londër dhe kërkoi ndihmën e shkollës fillore ku studiojnë të bijat.

Ishte shumë thjeshtë të mblidhja disa bluza kështu që vendosa të bëja më shumë. Nxënësit e shkollës sollën dhjetra bluza ndërkohë që njerëzit filluan të më dërgonin qindra emaile- shprehet ajo- Më kanë dhënë edhe disa taka futbolli, topa dhe tuta.

Madje shkolla e vajzave të saj organizoi një eventiment të quajtur "dita shqiptare", ku fëmijët mblodhën pothuajse 400 dollarë duke veshur bluza futbolli. Bluzat që ajo arriti të mbledhë janë paketuar dhe do të dërgohen në jetimoren e Sarandës muajin e ardhshëm. Dume shpreson shumë të mund kthehet në Shqipëri në tetor. Britanikja ka mbledhur gjithashtu edhe fonde për dhënien  e ndihmave për jetimët në Shqipëri.

"Të gjithë fëmijët që takuam kishin nevoja të mëdha. Një fëmijë nëntë vjeçar kishte paralizë cerebrale, por nuk mund të merrte mjekimin që i duhej- thotë ajo- Kam takuar prindër të mrekullueshëm që kanë bërë të pamundurën për fëmijët e tyre. Shqiptarët janë njerëz të bukur.  "/ Hensley Standard"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë