Treg

“Një tokë, Një Popull, Një Ëndërr”, por ende barriera për biznesin Kosovë-Shqipëri

Sabina Veizaj- Nëse do të sjellim ndërmend peripecinë e patates kosovare për të depërtuar në tregun shqiptar, do të kuptojmë që “Një tokë, Një Popull, Një Ëndërr”, është thjesht demagogji ajo çfarë kanë prodhuar më së shumti deri më tani mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive shqiptare të dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë.

Vetëm pas asaj motoje të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive më 23 mars 2015, do të hiqej referenca për artikullin e patates kosovare dy vite më vonë dhe ajo mandej do të depërtonte lehtë në tregun shqiptar.

Atëherë referenca doganore për pataten nga Kosova në Doganën e Shqipërisë ishte 0.24 cent, që ia bënte pothuajse të pamundur prodhuesve kosovare konkurrimin në tregun shqiptar.
Por sot edhe pas pesë mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive dhe krijimit të Dhomës së Përbashkët të Trgetisë, birra Peja dhe artukuj të tjerë vuajnë të njëjtin fat.
Teksa sipas zv/Kryeministrit të Kosovës Fatmir Limaj, tregu kosovar është i hapur dhe i lirë për bizneset e Shqipërisë.

Por nuk është i vetmi problem referenca doganore që vështirëson intesifikimin tregtar mes dy shteteve, që në vend të depërtonin sëbashku me brandet e përbashkëta tradicionale në tregjet europiane e më tej, siç do të shprehej Sokol Kraja i Bashkimit të Prodhuesëve Shqiptarë: “Ne kemi dy tregje që i kemi vënë gardhet njëri-tjetrit”.

Kraja foli në forumin Pankombëtar me organizim të përbashkët të palës shqiptare dhe kosovare.

Sipas një studimi të kryer dy vite më parë për barrierat tregtare Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas, rezultoi që :

Në pjesën e Shqipërisë sipërmarrësi duhet të paguajë për të eksportuar:
23 euro agjencinë doganore
10 euro pagesën e terminalit
15 euro pagesën për çertifikatën fito sanitare
22 euro skanerin
72 euro në doganë
Në pjesën e Kosovës
30 euro agjencia doganore
40 euro terminali
68 euro certifikata fitosanitare

Shtoji kësaj shifre edhe tarifën e Rrugës së Kombit.
“Për një trajler që eksporton 50 mijë euro janë 0, 5 % e totalit që nuk i rëndon, por mendoni një furgon që eksporton 500 kg suxhuk! Është sa 50 % e kostos” – do të thoshte Alban Zusi gjatë diskutimeve në forum.

Bazuar në një studim akademik të dy viteve më parë, pikërisht për të identifikuar cilësinë e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, Zusi identifikoi se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve ndodhin në nivelin e bizneseve të mëdha. Sepse bizneset e vogla dhe të mesme e kanë të pamundur përballimin e kostove për shkak të barrierave tregtare.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/301396927470560/

“Nëse në 8 të mëngjesit 2 furgonçina nisen nga fabrika e suxhukut një për Prishtinë dhe tjetra për në Tiranë me 100 kg dhe të kthehen në të njëjëtën kohë në drekë nuk ka tregti. Modelet janë të gatshme. Duhet në doganë vetëm një lexues barkodi, kaq duhet të jetë e gjithë procedura. Kam një propozim- këtë reformë të unifikimit kalojani si autoritet biznesit, ta procesojnë, tarifat i paguajmë vetë dhe brenda muajit kryehet” do të thoshte Zusi.

Shqetësimin e skanimit e ngriti edhe zv kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, i cili evidentoi se është absurd që për çdo mall që skanohet të paguhen tarifë 22 euro. Për të skanimi nuk duhet të ndodhë vetëm në rast të sinjalizimit për çështje sigurie.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave të Shqipërisë Anila Denaj siguroi biznesin kosovar dhe atë të Shqipërisë që do të ketë një diskutim me koncesionarin për këtë çështje. Gjithashtu të dy palët nga ana e qeverive siguruan gjatë diskutimeve të tyre në forum se deri në fund të qershorit do të implementohen 5 vendimet e marra në kuadër të pengesave që e bëjnë të vështirë zhvillimin dhe intensifikimin e tregtisë mes dy vendeve.

Sokol Kraja nga Bashkimi i Prodhuesëve shqiptarë kërkoi që fatura shqiptare të njihet në Kosovë dhe fatura e Kosovës të njihet në Shqipëri. “Katër deklarata bën një biznes kur dërgon një kamion në Kosovë” – do të thoshte ai.

Astrit Panxha drejtori Ekzekutiv i Forumit ekonomik mbarëshqiptar do të nxirrte në pah si neglizhencë nga ana e qeverive “mungesën e analizave të mjaftueshme të problematikave. Sipas tij duhen bërë pyetësorë ndër biznese”.

Berat Rukiqi, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës do të ishte më I drejtpërdrejtë në diskutimet e tij duke mos kursyer qeveritarët e të dy krahëve. “ Është hera e 20 që takohemi dhe vazhdojmë diksutojmë për barriera. Këtë dekadë bisedimesh do ta quaja dekadë të barrierave. Ende ne nuk kemi një sqarim për këto vite, pse birra Peja diskriminohet në tregun e Shqipërisë kur tregu është i hapur për të gjithë? Pse nuk është shfrytëzuar avantazhi i rrugës, teksa më parë e kishim si justifikim? Ne i plotësojmë të gjitha parakushtet për të patur një shkëmbim tregtar të shëndoshë, por të vështrosh statistikat, lënë për të dëshiruar”- do të thoshte Rukiqi duke theksuar se “Ne nuk kemi një kompani të përbashkët të transportit. A është analizuar ndonjëherë mundësia e partneritetit publik privat për një kompani transporti të përbashkët për transport mallrash, për investimet e huaja direkte. Do të ishte mirë që forumin tjetër të flasim për mundësitë sepse këtë herë kemi folur vetëm për sfidat. Të kthehemi kah mundësive dhe investimeve të përbashkëta, të promovojmë produktet tona që të jemi prezent në çdo treg me brandin tonë. Këtë të diskutojmë, jo për barrierat. Të kthehemi kah gjërave praktike.”

Rukiqi më herët në një intervistë për mediet kosovare do të shikonte si pengesë për shkëmbim tregtar të dobët mes dy vendeve grupet e interesit.

Sipas tij kërkesat nga shteti shqiptar janë jashtë standardeve dhe rregullave të CEFTA-s.
“Kur jemi tek Shqipëria, kur e përmenda këtë riorientimin ekonomik, ne po pretendojmë ta rrisim komunikimin dhe bashkëpunimin me Shqipërinë, por fatkeqësisht shumë barriera jo tash politike siç është me Serbinë dhe Bosnjën, por për shkak të grupeve të interesit që janë në Shqipërin po mbesim. Kemi kërkesa për certifikata dhe teste të caktuara, për standarde të tjera, kemi pritje të gjata në kufi, trajtim jo të barabartë në përgjithësi jashtë rregullave të CEFTA-së këto janë evidente me Shqipërinë”, do të deklaronte ai.

Nëse do të flasim me shifra; gjate vitit 2018 u shkëmbyen 71 milion euro mallra më shumë se në Vitin 2017 dhe 106 milion më shumë se në Vitin 2016.
Gjate vitit 2018 midis 2 anëve të kufirit u shkëmbyen 271 milion, ku Shqipëria eksportoi 205 milion, ndërsa Kosova eksportoi ne Shqipëri 66 milionë.
Krahasuar me një vit më parë Kosova i rriti eksportet e saj 23 përqind, ndërsa Shqipëria 33 përqind.

Edhe qasja krahasuese në katër vite për shkëmbimet tregatre vlen të përmendet se ka rritje të konsiderueshme, por të pamjaftueshme për potencialet që kanë vendet për të realizuar.


Kanë qenë të paktën gjashtë produkte të Kosovës që nuk kanë depërtuar lehtë në tregun e Shqipërisë. Për shumë vite Shqipëria i ka vendosur barrierë prodhuesve kosovarë. Kurse Kosova vetëm një herë ka ndaluar një produkt që importohet nga Shqipëria.
Në vitin 2012, bllokoi përkohësisht çimenton.

Çdo gjë në vitin 2009. Atëherë Shqipëria vendosi referencën tregtare ndaj prodhimeve kosovare. Ajo referencë qe tri herë më e lartë sesa referencat doganore që Serbia kishte vendosur ndaj këtij produkti të prodhuar në Kosovë.

Për këtë ministrja e Tregtisë në Kosovë, Mimoza Kusari-Lila vendsoi të bllokojë përkohësisht hyrjen e çimentos së Shqipërisë. Vendimi ishte marrë në qershor të vitit 2012.

Sipas saj, kompanitë që importojnë nga Kosova këtë mall, do të duhej të paguanin një tarifë prej 35% të vlerës së importuar me qëllim për të mbrojtur prodhimin e vendit.
Tarifa të reja ndaj produkteve të Kosovës ne vendosëm edhe në shkurt të 2015-ës. Barrierat tregtare më të thekshme ishin për produktet bujqësore, farmaceutike dhe të birrës.
Si kundërpërgjigje pas këtij veprimi, MTI-ja kërcënonte në atë kohë me barriera tregtare për produktet tona, nëse autoritetet edhe në vazhdim do të vazhdonin t’i pengonin eksportet kosovare.

Më 29 dhjetor 2018 u nënshkrua unifikimi doganor Shqipëri-Kosovë. Kosova çeli pikën doganore në Portin e Durrësit, mandej dhe në Morinë është terminali i përbashkët. Megjithatë bizneset e të dy anëve kanë ende barriera që pengojnë një tregti të lirë për tu zhvilluar, gjithçka tjetër mbetet demagogji..


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë