Njerez

Një studente e arteve në mesin e protestës

Sabina Veizaj-Livia Stavri është studente e vitit të dytë për Garfikë në Universitetin e Arteve.

Ajo është e çliruar nga pagesa e tarifës vjetore të shkollimit, pasi nuk e ka në jetë njërin prind. (sipas VKM-së së 2017-ës që përjashton nga tarifa studentore disa kategori sociale)

Protesta e studentëve, enjte

Por ajo, sot i është bashkuar protestës së studentëve të Politeknikut së bashku me kolegët e klasës së saj.
“Unë personalisht nuk kam problem në lidhje me tarifat. Jam e përjashtuar sepse nuk e kam njërin prind. Ishte çështje solidariteti. Ne pamë studentët e Politeknikut që po marrshonin dhe vendosëm edhe ne një grup nga klasa jonë ti bashkoheshim”- thotë Livia.

Por pjesëmarrja në protestë mund të jetë edhe kosto personale për çdo njërin prej studentëve nga fakultetet e tjera që i është bashkuar protestës duke u penalizuar me mungesë, sepse ata nuk kanë lajmëruar që do të shkojnë në protestë.

“Ne e ndjemë për detyrë, sepse jemi artistë dhe në të gjithë botën artistët e kanë kulturuar dhe revolucionarizuar shoqërinë, prandaj na erdhi keq që nuk u bashkuan edhe pedagogët tanë që janë artistë”- shpjegon më tej Livia.

Ajo është e vendosur se do t'i bashkohet çdo ditë protestës derisa protesta ta përmbushë misionin e saj, që nuk është vetëm çështje tarifash, por të të gjithë kushteve që e bëjnë studentin të ndihet si i tillë me dinjitet dhe i barabartë me kolegët e tij në të gjithë Europën dhe në botë.

Për Livian, pavarësisht se ajo personalisht nuk paguan për shkollën, Universiteti i Arteve i ka tarifat më të shtrenja se çdo universitet tjetër, por në të njëjtën kohë nuk ka patur investime dhe kushte. “Nuk kemi ngrohje mbi të gjitha”- shprehet Livia.

Ajo kuptoi në protestë të enjten se të gjithë ishin me studentët, edhe ata që nuk mundeshin sepse do të penalizoheshin.

"Shtyhuni pak më andej ju keqen se na bërtet shefi. Pa të jetë për mua ça t'i bëj vendit të punës se çunin tim aty në protestë e kam”- iu drejtua një polic Livias në protestë të enjten.
Studentëve të Universitetit të Tiranës iu bashkuan të enjten edhe ata të Durrësit, Korçës, Elbasanit e Shkodrës.

Edhe pedagogu  Edmod Tupja dhe regjisori Kastriot Çipi pjesmarrës në protestë

Anulimi i VKM-së për tarifa shtesë, përgjysmimi i tarifës së studimit, përmirësimi i kushteve të konvikteve, Bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë së Arsimit, duke shtuar një̈ përfaqësues nga studentët në bord, janë kërkesat e studentëve prej të cialve ata nuk tërhiqen.
Protesta e përmasave të mëdha është pasqyruar edhe në mediet Europiane dhe ato të SHBA-ve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë