Dosje

‘Një shtëpi miliarderi’, dalin përgjimet e 4 hajdutëve shqiptarë në Itali. I pesti i bandës vdiq pas një grabitjeje

Një bandë e organizuar me shofer, vëzhgues dhe “akrobatë”, të cilët vepronin në mënyrë të disiplinuar. Ata plaçkisnin shumë apartamente në ditë, kryesisht në provincat e Milanos, Monzës dhe Varezes. Të paktën 17 vjedhje janë verifikuar nga policia brenda dy javësh

Gazeta Si - Anëtari i pestë i bandës së “skifterëve” shqiptarë është i vetmi që nuk është arrestuar me grupin në Milano të Italisë.

Samir, ky është emri i tij, 38-vjeçar nga Shqipëria humbi jetën më 20 tetor përgjatë Autostrada del Sole, në një aksident tragjik pranë Modenës.

Makina e tij - një fuoristradë Stelvio Quadrifoglio, e vjedhur dhe me targë të mbivendosur – u përplas teksa ecte me shpejtësi të madhe, përfundoi në parmakë dhe u përmbys.

Brenda kishte para, sende të vjedhura të një grabitjeje dhe drogë. Katër bashkëpunëtorët e tjerë u ndaluan dy ditë më parë nga agjentët e policisë milaneze.

Një bandë e organizuar, e disiplinuar, e pangopur. Me formacionin tipik – 41-vjeçari Andrea Alija, i njohur si “Bledi” në timon, 34-vjeçarin Ermal Damzi bashkëpunëtor dhe dy “akrobatët”, Kristian “Kristi” Filopati 30 vjeç dhe 32-vjeçari, Sajmir Damzi, i njohur si "Miri" - grabitnin shumë apartamente në ditë, kryesisht në provincat e Milanos, Monzës dhe Varezes.

Për momentin, katër shqiptarët, të gjithë me precedentë penalë dhe policorë, akuzohen se kanë kryer 17 vjedhje, të kryera në vetëm pesëmbëdhjetë ditë, mes 14 dhe 28 tetorit 2023.

Por për hetuesit, grupi kishte goditur dhjetëra herë. Mjafton të lexohet dosja hetimore e italianëve: më 14 tetor, ata hynë në një apartament në Cassina de Pecchi; më 17 në Gorgonzola; në datën 21 tetor në Busto Arsizio dhe më pas dy vjedhje në Gallarate; në datën 22 është radha e Bussero-s; 23 tetor në Brugherio; më datë 25 përsëri në Gallarate (gjatë kësaj bastisjeje, një fqinj i viktimës vëren dy “skifterë” që ngjiten në banesë nga çatia), ndërsa inkursionet e tjera në mbrëmje përfundojnë keq.

Në Busto Arsizio në një banesë, është alarmi ai që që i bën të ikin. “Do ta kishim hapur kasafortën!”, ankohet njëri prej shqiptarëve: “Do kishim bërë bingo”, është i bindur ai, ndërsa tjetri e paralajmëron se pronarët “njoftuan të zinjtë (term që përdoret për të identifikuar policinë)”.

Ishte një takim i papritur që shkaktoi një tjetër vjedhje në Gallarate: "Ai ishte brenda, ishte një plak në dhomën e gjumit duke lexuar një libër...", - proteston një nga hajdutët, i cili, pasi hyri brenda, e gjen veten pothuajse para pronarit të shtëpisë.

Më 26 tetor, grupi i shqiptarëve “vizitojnë” dy shtëpi në Lissone; në datën 27 kthehen në Bussero dhe dy herë në Monza; në fund, më 28 tetor, shkojnë në Cardano al Campo dhe Gallarate.

Gjithçka ishte kujdesur në detaje. Çdo mbrëmje grupi mblidhej në Varedo, në Brianza. Telefonat celularë i mbanin në shtëpi, të zëvendësuar me radio-marrëse me telekomandë.

Të arrestuarit merrnin “veglat e punës” dhe arritën në njërën nga garazhet në të cilin mbanin të fshehur makinën e vjedhjeve (një Audi RS3 e vjedhur) me të cilën shkuan në zonat ku do të kontrollohej për shtëpi.

Monitorimi për të pastruar makinën nga çdo pajisje e mundshme përgjuese kryhej çdo javë. Targat (të klonuara) ndërroheshin periodikisht. Si dhe garazhet: një ishte në Rozzano, një tjetër në zonën e Bergamos.

Në hyrje, në tokë, ata linin shenja, copa shiriti ose hala pishe për të zbuluar ndonjë ndërhyrje të mundshme nga policia. Pas identifikimit të zonës, banda ka synuar banesat të cilat i kishin fikur dritat në muzg.

“E shihni që kati i parë dhe i tretë janë dritat ndezur, - dëgjohet të thotë njëri prej tyre në një përgjim, - te kati i dytë drita është e fikur... Betohem se duhet të jetë shtëpi miliarderi, është një rezidencë...”.

Dy nga “skifterët” u ngjitën lehtësisht mureve dhe ulluqeve, ose u ulën nga çatitë, për të arritur në çdo shesh pushim të vilës.

Ata shqyen me forcë hekurat dhe dritaret dhe hynë brenda. Gjithnjë bastisnin para, orë dhe xhevahire, të cilat i sillnin në shtëpi deri në orën 23:00 të mbrëmjes.

Një orar i zgjedhur jo rastësisht për t’u kthyer në shtëpi: në atë kohë, "Miri", i konsideruar si drejtues i bandës, duhej të kthehej për kontrollin në lidhje me shërbimin e provës, pasi kishte dalë me kusht nga burg pas një dënimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë