Ngjarje

Video / Arrestohet banda e ‘skifterëve’ shqiptarë në Itali, 17 vjedhje për 2 javë nga çatitë e banesave

Gazeta Si - Zbrisnin nga çatitë për të hyrë fshehurazi në apartamente të ndryshme . Një bandë e specializuar me shtetas shqiptarë, të akuzuar për 17 vjedhje banesash, të kryera brenda dy javësh, mes 14 dhe 28 tetorit, është goditur nga policia në Milano në një operacion ku kanë marrë pjesë edhe forcat speciale.

Mediat italiane raportojnë se janë katër të rinj të moshës 30, 32, 34 dhe 41 vjeç, të arrestuar mëngjesin e së martës nga karabinierët e Milanos.

Gjatë operacionit, siç duket edhe nga videoja e publikuar nga karabinierët, agjentët kanë zbuluar qindra mijëra euro të fshehura nga shqiptarët.

Anëtarët e dyshuar të bandës u gjurmuan brenda shtëpive të ndryshme në Paderno Dugnano (Milano), Varedo (MB) dhe Limbiate (MB).

Veprimtaria e hetimit - e cila përfshinte shërbime vëzhgimi dhe përgjimi, montorimi i kamerave të sistemeve të sigurisë me video, aktivitete telefonike teknike dhe përgjime mjedisore - filloi me identifikimin e një makine të vjedhur me motor të madh, e përdorur nga grupi për të shkuar në vendet e vjedhjeve, nga ku më pas largoheshin.

Në këtë automjet, “skifterët” nga Shqipëria përdornin targa të klonuara nga makina të tjera. Gjatë kontrollit, u gjetën veshje të përdorura gjatë vjedhjeve, mjete për vjedhje, një sharrë rrethore, radio-marrëse, pishtarë, çelësa makinash, para cash në euro, stoli dhe ora me origjinë të fshehtë.

Më tej, gjatë operacionit, një shtetas tjetër shqiptar, gjithashtu me precedentë penalë, i është nënshtruar kontrolleve dhe është shoqëruar në komisariat për hetime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë