Njerez

Një shqiptare zgjidhet kryeprokurore në SHBA

Shqiptarja Buta Biberaj duket se është ylli në ngritje i komunitetit shqiptar në Amerikë, pasi është zgjedhur kryeprokurore në qarkun e Loudonit në Virginia. Biberaj, e cila garonte në krahun e Partisë Demokratike, mposhti republikanen Nicole Wittmann, duke fituar 49.5% të votave.

Ajo jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej vitesh dhe kjo është detyra e saj e parë në rang kaq të lartë publik. Shumë e njohur si avokate dhe gjyqtare dhe me një përvojë prej më shumë se 25-vitesh, në zonën e shtetit Virginia ku jeton, ajo ka vendosur që të kandidojë si anëtare e Partisë Demokrate si Kryeprokurore e qarkut Loudon.

Biberaj ka zhvilluar një fushatë mbresëlënëse, duke siguruar madje edhe mbështetjen e gazetës së famshme “The Washington Post” dhe përkrahjen e shumë personaliteteve të politikës dhe drejtësisë amerikane, përfshirë edhe ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, në administratën e Presidentit Obama, Eric Holder.

Biberaj punon prej vitesh si avokate dhe është partner në firmën juridike “Biberaj & Sinclair”. Ajo është ka punuar si praktikante në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara dhe të gjitha gjykatat shtetërore dhe të apelit në Virginia, Maryland dhe Nju York.

"Vizioni ynë ka qenë gjithmonë të kemi siguri," tha Biberaj pas fitores të së martën. "Përveç sigurisë, ne duhet të kujtojmë se drejtësia është primare. Kjo është ajo që unë premtoj që do t'ju sjell. Jam kaq krenar për besimin që më keni dhënë", shtoi ajo.

Biberaj. Budja i përket familjes së njohur dhe anti-komuniste shqiptaro-amerikane Biberaj nga Tropoja. Budja është një prej 8 fëmijëve të Hysen e Aishe Biberaj, një familje e madhe, me 19-nipa e mbesa dhe me 16-stërnipa dhe stërmbesa, pasardhës të brezave të kaluar të familjes Biberaj.

Familja Biberaj me banim në qarqet administrative Fairfax dhe Loudon të shtetit të Virxhinias, është e njohur tanimë për gjurmët pozitive dhe arritjet e shumta të anëtarëve të saj në fusha të ndryshme, jo vetëm në komunitetin shqiptaro-amerikan por edhe në jetën e përditshme amerikane, në përgjithësi, sidomos në fushën e biznesit, politikës, gazetarisë dhe tani edhe drejtësisë.

Biberaj thotë se ka vendosur të bëhet pjesë e sistemit të drejtësisë për të luftuar pabarazitë e sistemit juridik. Gjatë 11 viteve në detyrë, ajo kryesoi qindra çështje penale dhe civile.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë