Futboll

Një Sherif ngjit Teutën në majën e Superiores

Kapiteni i Kombëtares U-21, Sherif Kallaku, ka shënuar golin me vlerën e tri pikëve për Teutën në ndeshjen me Flamurtarin, që ka çelur javën e tetë të Superiores. Një gol shumë i rëndësishëm për durrsakët, të cilët janë ngjitur në kuotën e 15 pikëve dhe tashmë e shohin veten në majën e renditjes së Superiores, të shkëputur nga ndjekësit. Kallaku realizoi në pjesën e dytë të ndeshjes së luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, por duhet thënë se Teuta pati një mori rastesh, që nuk mundi t’i shfrytëzonte.

Flamurtari e ka të pamundur të largohet nga kriza dhe rënia një kategori më poshtë duket gjithmonë e më e sigurt për vlonjatët. Vetëm 2 pikë në 8 ndeshje është një bilanc katastrofik. Largimi i trajnerit Dritan Sadedini mund të vijë shumë shpejt, por nuk është ai problemi i Flamurtarit. Kriza financiare po e bën këtë skuadër të humbë identitetin e saj.

Java e tetë e Superiores vazhdon nesër me katër ndeshjet e tjera, ku veçohen Vllaznia-Partizani dhe Skënderbeu-Kukësi si dy nga sfidat më interesante. Tirana pet Laçin, kurse Bylisi luan me Luftëtarin në Gjirokastër. Teuta pret e qetë ndeshjet e rivalëve të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë