Në Serbi janë tërbuar, pasi kanë mësuar se Ilija Iviç, një futbollist 17-vjeçar nga Graçanica ka vendosur të luajë për Kosovën U-19. Ai ka pranuar ftesën e kësaj kombëtareje dhe është grumbulluar nga trajneri Krasniqi, duke u bërë kështu serbi i parë në histori që luan për Kosovën. Një lajm që i ka tronditur serbët dhe shtypi e ka konsideruar shokuese zgjedhjen e futbollistit të ri.
Zgjedhja e Iviç ka shkaktuar zemërim të madh në Serbi, ku autoritetet nuk e njohin kombëtaren e Kosovës, ashtu sikurse nuk e njohin edhe Kosovën si shtet. Për këtë arsye, vendimi i 17-vjeçarit Graçanica, një komunë me popullsi serbe në Kosovë, në të gjitha mediet në Serbi është interpretuar si një ngjarje skandaloze.
“Informer.rs”, një portal serb, për këtë ngjarje shkruan: “Ilija Iviç, i cili luan te Flamurtari i Prishtinës, ku ditë më parë nënshkroi kontratën profesionale, ka marrë ftesën nga Kosova U-19 dhe e ka pranuar atë. Ky është një lajm bombë, shokues. Iviç bëhet futbollisti i parë serb, i cili pranon të luajë për Kosovën”. Vetë lojtari i ri është dukur shumë i qetë dhe aspak i trazuar nga atë çfarë shkruan shtypi serb. “Është një ndjesi e mirë kjo ftesë, sepse është vlerësuar puna ime dhe kualiteti im”, - ka thënë shkurt Iviç për “”Telegraf”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.