Motosport

Një propozim nga Austria për Ljuis Hemilton: Pse nuk shkon te Ferrari?!

Gazeta Si – Kontrata e Ljuis Hemilton është një nga argumentet më të nxehta të Formula 1 aktualisht. A do të qëndrojë ende te Mercedesi? Vitet e fundit bashkëpunimi mes palëve nuk është vënë asnjëherë në diskutim, me titujt radhazi dhe një raport shumë të mirë me drejtuesin kryesor të skuderisë, Toto Volf.

Megjithatë, titulli i humbur në frymën e fundit në 2021-shin ndaj Maks Vershtapen, i ndjekur një 2022 me vuajtje dhe një makinë jo kompetitive, kanë ngritur dyshime për të ardhmen e pilotit anglez.

Hemilton vitin e kaluar përjetoi sezonin e parë pa asnjë fitore. Ishte hera e parë që kur ai merr pjesë në F.1, që nga viti 2007. Këtë vit trendi nuk ka ndryshuar dhe vetë Volf ka pranuar se fakti që Hemilton nuk ka një makinë kompetitive mund të ketë pasoja në diskutimet për kontratën në fuqi.

Gerhard Berger, ish-pilot i Ferrarit. Gazeta Si, 17 prill 2023

Në këtë situatë ka jo pak spekulime dhe i fundit vjen nga Austria, konkretisht nga Gerhard Berger. Ish-ferraristi, duke folur për ‘Kronen Zeitung’, i ka propozuar Hemiltonit pikërisht të garojë me skuderinë italiane.

"Nëse Ljuis nuk ka një makinë kompetitive te Mercedesi dhe nëse dyert e Red Bull-ti janë të mbyllura, pse nuk provon me Ferrarin? Ndoshta do të zgjidhte edhe problemet që kanë në Maranelo. Pastaj, lidhja e një piloti me një skuadër nuk do të thotë asgjë, askush nuk i zbulon kartat e veta”, - ka thënë Berger.

Austriaku më tej shton: "Të gjithë pilotët duan të drejtojnë një Ferrari të paktën një herë në jetë. Të gjithë pilotët më të mirë të historisë kanë qenë aty herët a vonë”. Sa i takon situatës aktuale në kampionat, Berger nuk sheh mundësi të mëdha për kundërshtarët e Vershtapen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë