Lajme

Një miliard njerëzve me këta telefona Android mund t’u vidhen të dhënat

Ekspertët e teknologjisë kanë treguar se më shumë se një miliard pajisje Android, kanë rrezik të hakohen sepse nuk janë më të mbrojtur nga azhurnimet e sigurisë. Kjo gjë ka bërë që përdoruesit të jenë të ekspozuar ndaj vjedhjes së të dhënave. Kushdo që përdor një telefon Android të krijuar në vitin 2012 ose më përpara duhet të jetë i shqetësuar.
Të dhënat nga Google tregojnë që 42.1 për qind e përdoruesve Android në të gjithë botën kanë versionin 6.0, një sistem operativ i cili nuk ka cilësi të lartë mbrojtjeje.
Ekspertët kanë testuar një sërë telefonash Android dhe arritën në përfundimin se dy në pesë përdorues Android në të gjithë botën nuk po merrnin njoftime për sigurinë e telefonit. Telefonat e testuar ishin:
- Motorola X
- Samsung Galaxy A5
- Sony Xperia Z2
- LG / Google Nexus 5
- Samsung Galaxy S6.
Ekspertët kërkojnë që Google dhe të tjerët të ofrojnë shumë më tepër transparencë rreth asaj se sa kohë do të ofrohen azhurnime për telefonat. Ndër të tjera ata treguan se industria celulare duhet të bëjë një punë më të mirë për të mbështetur klientët në lidhje me opsionet e tyre pasi azhurnimet e sigurisë nuk anë të disponueshme dhe kjo është vërtetuar shumë herë.
Kate Bevan, një eksperte e informatikës tha se është shumë shqetësuese që pajisjet e shtrenjta Android kanë një afat shumë të shkurtër të sigurisë, duke bërë që miliona përdorues të rrezikohen nga pasoja serioze.
"Google dhe prodhuesit e telefonit janë ndër autoritetet kryesore për sa i përket njoftimeve mbi azhurnimet e sigurisë. Ata duhet të japin informacion të qartë se sa do të zgjas siguria në telefonin e tyre dhe çfarë duhet të bëjnë klientët kur ajo të mbarojë. Gjithashtu, qeveria duhet të përparojë me legjislacionin e planifikuar për të siguruar konsumatorët, që prodhuesit të jenë më transparentë për azhurnimet e sigurisë,"shtoi ajo.

Si të kontrolloni nëse telefoni juaj mund të hakohet dhe çfarë të bëni?
Nëse pajisja juaj Android është e vjetër, kontrolloni nëse mund të azhurnohet në një version më të ri të sistemit operativ. Nëse jeni në një version më të hershëm sesa Android 7.0, përpiquni të azhurnoni duke ndjekur këto të dhëna. Klikoni hap pas hapi, cilësime-sistemi-përditësimi i sistemit të përparuar. Nëse nuk do ta bëni këtë gjë atëherë të dhënat tuaja do të jenë të rrezikuara, veçanërisht nëse keni një version Androidi më të vjetër se sa dy vjet.
Gjithashtu, jini të kujdesshëm ndaj mesazheve të dyshimta. Krijoni kopje rezervë të të dhënave në të paktën dy vende (një hard disk dhe një shërbim cloud) dhe instaloni një anti-virus në celular përmes një aplikacioni, por mbani në mend se zgjedhja më e mirë është të kufizoni përdorimin e telefonave të vjetër. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë