Kuriozitete

Një kopje e Kushtetutës Amerikane u shit për 43 milionë dollarë

Një kopje e botimit të parë të Kushtetutës së SHBA-së është shitur në ankand për 43 milionë dollarë pasi një investitor misterioz tejkaloi financuesit e kriptove, të cilët mblodhën 40 milionë dollarë për të blerë dokumentin e vitit 1787.

Shtëpia e ankandeve Sotheby's, e cila organizoi shitjen, tha se artikulli ishte një nga vetëm 13 kopjet e njohura të mbijetuara të statutit amerikan, të nënshkruar më 17 shtator 1787 në Sallën e Pavarësisë së Filadelfisë nga baballarët themelues të Amerikës, përfshirë George Washington, Benjamin Franklin dhe James Madison.

Ofertuesi fitues nuk u identifikua menjëherë, por një zëdhënës i Sotheby's tha se çmimi prej 43.2 milionë dollarësh përfshirë komisionet ishte një rekord botëror për një dokument historik të ofruar në ankand.

Një grup investitorësh të kriptomonedhave kishin mbledhur 40 milionë dollarë në kriptomonedhën ethereum në përpjekje për të blerë dokumentin, por nuk arritën të siguronin çmimin.

Kopja origjinale, një nga vetëm dy që janë ende në duar private, në këtë rast koleksionistja amerikane Dorothy Tapper Goldman - u vlerësua shtatorin e kaluar në mes 15 dhe 20 milionë dollarë.

Grupe të tilla kanë filluar të formojnë koalicione të lira kohët e fundit për të mbledhur fonde për të ofruar oferta për koleksione të shtrenjta, duke përfshirë një grup që mblodhi së bashku 4 milionë dollarë për një album të rrallë të Klanit Wu-Tang që më parë kishte qenë në pronësi të themeluesit të burgosur të fondit mbrojtës Martin Shkreli.

Selby Kiffer, një ekspert i dorëshkrimeve dhe librave të lashtë në Sotheby's, tha në shtator se kjo kopje ishte ndoshta pjesë e një botimi të shtypur një ditë përpara nënshkrimit dhe me gjasë doli nga makinat e shtypit në mbrëmjen e 16 shtatorit 1787.

Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë