Njerez

Një kompani shqiptare po prodhon 500 ambulanca për t’i dërguar në Ukrainë, por has vështirësi për të gjetur makinat

Një kompani e vogël në Shqipëri po përpiqet të plotësojë kërkesën dhe të prodhojë serinë e parë prej rreth 500 ambulancave që po planifikojnë të dërgojnë në Ukrainë.
"Na u dhanë vetëm dy javë për të prodhuar 11 ambulanca dhe për t'i dërguar ato në Ukrainë, një punë që zakonisht zgjat dy muaj", thotë biznesmenja Arjeta Puca. Kompanisë që ka punësuar 14 persona, duke përfshirë tre nga Turqia, i është kërkuar të prodhojë qindra autoambulanca, por e ka të vështirë të marrë automjete në Shqipëri.

Kompania ka hasur vështirësi në gjetjen e furgonave.


Kemi kërkesa për të bërë deri në 500 autoambulanca, duke përfshirë autoambulanca të blinduara, por problemi mbetet se nuk po gjejmë furgonat”, tha Puca në punishten e saj jashtë kryeqytetit. Punëtorët po marrin furgona të rinj Ford dhe po instalojnë bombola oksigjeni, drita blu, sirena dhe mjete të tjera. 11 autoambulancat e para u porositën nga një agjenci e Kombeve të Bashkuara dhe pasi të përfundojnë ato do të transportohen në Poloni dhe në Ukrainë. Puca, kompania e së cilës, e quajtur 'Timak' ka prodhuar autoambulanca për Shqipërinë dhe Libinë, thotë se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka treguar gjithashtu interes për 50 autoambulanca. Marrëveshja e parë me Ukrainën mund të mos ketë qenë më e favorshme nga pikëpamja tregtare, veçanërisht në një kohë kaq të shkurtër, por Puca u ndje e detyruar ta pranonte atë. "Dëshira jonë ishte të jepnim kontributin tonë për Ukrainën. Në këto kohë nuk duhet të mendoja vetëm për paratë", tha ajo.

Dëshira për të ndihmuar Ukrainën është e madhe.


Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, Shqipëria, anëtare e NATO-s i është bashkuar vendeve të tjera europiane në vendosjen e sanksioneve dhe ndalimin e avionëve rusë nga hapësira ajrore. Në fillim të marsit, bashkia e Tiranës riemëroi një rrugë ku ndodhen ambasadat ruse dhe ukrainase si "Ukraina e Lirë" për të nderuar rezistencën e Ukrainës.


Lufta në Ukrainë është tema kryesore e bisedave kur punëtorët pushojnë duke pirë një cigare në punishten Timak.
“Nga ajo që kemi parë, ne jemi të prekur nga çfarë po ndodh atje dhe ne po punojmë me shumë pasion këtu për t'i bërë gati autoambulancat për në Ukrainë”, thotë Izet Bytyçi, marangoz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë