Ngjarje

Nën maskën e diplomatit, kush janë iranianët e dëbuar nga Shqipëria

Shqipëria dëboi në fillim të këtij viti dy diplomatë të Ambasadës Iraniane në Tiranë, duke i shpallur të padëshirueshëm. Diplomatëve Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast iu kërkuar largimi i menjëhershëm për shkelje të KOnventës së Vjenës me veprimtarinë e tyre.

Por çfarë kishin shkelur saktësisht dy iranianët? Seyed Ahmed Hosseini Alast u dëbua pasi ishte pjesë aktive e nxitjes dhd organizimit të sulmeve terroriste ndaj forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA kundër ISIS-it në Siri dhe Irak. U raportua se ai shfrytëzonte statusin e diplomatit në Tiranë për të mbuluar këtë aktivitet. Ai ishte gjithashtu edhe anëtar i Gardës Revolucionare Iraniane, e shpallur terroriste nga Departamenti i Shtetit.

Diplomati tjetër, Mohamed Ali Arz Peimanemati mbante postin e këshilltarit në Ambasadën Iraniane në Tiranë, por në të vërtetë ishte pjesë e njësisë iraniane MOIS, degë e inteligjencës së Teheranit që dyshohet se qëndron pas organizimit dhe nxitjes së sulmeve terroriste në Europë dhe vende të tjera.
Dëbimi i këtyre dy diplomatëve, që u përshëndet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishte as rasti i parë dhe as më i bujshmi. Në dhjetor të 2018, Zëri i Amerikës raportoi beftas se Shqipëria kishte dëbuar Ambasadorin e Iranit në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia dhe zyrtarin tjetër të ambasadës, Mostafa Roudaki.

Dëbimit i tyre pasoi ndalimin e dy shtetasve iranianë të dyshuar se do të kryenin sulme terroriste në Shqipëri. Zyrtarisht se kush do të ishte shënjestra e këtyre sulmeve nuk u tha asnjëherë, por në media rrodhën disa informacione se objektiv ishte kampi i muxhahedinëve në Manzë dhe udhëheqësit e tyre në Shqipëri.

Dy personat e ndaluar u akuzuan si pjesë e një grupi më të gjerë të shtrirë në Shqipëri, Turqi dhe Iran. Koka e grupit ishtë një operativ i Forcave QUDS, i njohur si Peyman. Sulmi që ata kishin programuar për të kryer në festën e Sulltan Novruzit, ishte organizuar nga Eruin Aram dhe Abdulselam Turgut. Aram ishte dërguar në Shqipëri për të mbledhur informacion.

Iranianët që do të kryenin sulmin u kapën në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri, pak para nisjes së ceremonisë së festës së Sulltan Novruzit, më 22 mars të 2018-ës. Në momentin e ndalimit ata thanë se ishin gazetarë me mision për të raportuar për publikun iranian sesi festohej Sulltan Novruzi në Shqipëri.

Disa muaj nga këto ndalime u dëbua ambasadori iranian në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia dhe një diplomat tjetër i kësaj ambasade për cenim të sigurisë kombëtare. Në atë kohë, Këshilltari i Sigurisë i Donald Trump, John Bolton njoftoi në një postim në rrjetet sociale vendimin e qeverisë shqiptare duke mbështetur Kryeministrin Edi Rama, ndërsa më pas reagoi edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili akuzoi diplomatët iranianë për organizim të sulmeve terroriste.

Ambasadori Gholamhossein Mohammadnia akuzohej edhe nga muxhahedinët, që jetojnë në vendin tonë si agjent i shërbimeve sekrete iraniane duke ngritur vazhdimisht shqetësimin se jeta e tyre ishte në rrezik nga veprimtaria e agjenturore e Iranit në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë