Shendet

Një ilaç i veçantë për mpiksjen e gjakut redukton kohëzgjatjen e Covid-19

Problemet e mpiksjes së gjakut dhe komplikimet pasuese janë të zakonshme tek pacientët me Covid-19. Shkencëtarët në Universitetin Mjekësor të Vjenës kanë treguar tashmë se një ilaç nga grupi i antikoagulantëve (që frenon mpiksjen e gjakut) jo vetëm që ka një efekt të dobishëm në mbijetesën e të sëmurëve, por ndikon edhe në kohëzgjatjen e infeksionit. Studimi është publikuar në revistën mjekësore “Cardiovascular Research”.

Në fazat e hershme të pandemisë besohej se virusi mund të sulmonte vetëm mushkëritë. Megjithatë, me kalimin e kohës, u arrit në përfundimin se prek edhe organet e tjera dhe shkakton mpikse gjaku që kanë çuar deri në vdekje nëse nuk janë kapur në kohë. Studimi në fjalë zbuloi se periudha e infeksionit aktiv me Covid-19, është reduktuar te pacientët e trajtuar me ilaçin e quajtur “heparinë” në doza të vogla. Falë një analize të kryer tek pacientët në Vjenë, u zbulua se mpiksja e gjakut, lidhej me infektimet e individëve që kanë nevojë për shtrimin në spital në terapi intensive ose tek ata që vdesin nga virusi.

"Tek njerëzit që marrin këtë ilaç koha e infektimit është mesatarisht katër ditë më e shkurtër se tek ata që nuk trajtohen me të. Të dhënat eksperimentale, në fakt, tregojnë se heparina është në gjendje të frenojë aftësinë e Covid-it për t'u lidhur me qelizat, duke parandaluar kështu infektimin e tyre,” tha David Pereyra, autori i parë i hulumtimit.
Që nga korriku i vitit 2020, përdorimi i barnave që pengojnë mpiksjen e gjakut është bërë pjesë e udhëzimeve të trajtimit për COVID-19. Sipas studiuesve, mpiksja e gjakut nga Covid-19 është e re dhe ndryshon në shumë aspekte nga problemet klasike të mpiksjes.
Burimi: Il Giornale/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë