Njerez

Një histori miqësie me moshatarin me autizëm. Fotoja e dy fëmijëve bëhet virale

Është një histori miqësie, afërsie dhe afeksioni mes dy fëmijëve në ditën e parë të shkollës, ajo mes 8-vjeçarit Connor Crites, i cili vuan nga çrregullimet e spektrit të autizmit dhe shokut të tij, Christian Moore, të së njëjtës moshë, i cili e ndihmoi atë për të kapërcyer një moment vështirësie. Një histori që është bërë virale falë një fotoje që i tregon ata së bashku, ndërsa kanë shtrënguar duart në hyrje të shkollës. Connor pati një impakt emocional gjatë ardhjes së tij në shkollën fillore të Wichita, në Kansas. Ai po qante në një qoshe derisa Christian, bashkëmoshatari i tij e ngushëlloi, e kapi për dore dhe së bashku hynë brenda derës së përparme, duke pritur që zilja të binte. Ishte nëna e Christian, Courtney Moore, e cila përshkroi bashkëveprimin mes dy fëmijëve në “Facebook”, duke postuar një foto që shumë shpejt u bë virale dhe që tregon për lindjen e një miqësie.
“Jam shumë krenare për djalin tim, - ka shkruar Courtney - është një fëmijë me zemër të madhe. Dita e parë e shkollës filloi mirë”. “Ai ishte shumë i sjellshëm me mua, - është shprehur Connor i vogël. - Unë isha në ditën e parë të shkollës dhe fillova të qaja, pastaj Christian më ndihmoi dhe më tej isha i lumtur". April Crites, nëna e Connor, është shprehur se ky gjest i thjeshtë e bëri atë shumë të lumtur.
“Është gjithçka që unë mund të kërkoj, - theksoi ajo - që dikush e trajton djalin tim në atë mënyrë".
"Jam shumë e lumtur që ai zuri një shok. Dhe shpresojmë, një miqësi për gjithë jetën”, shprehet ajo. Djemtë tani kanë një “lidhje” të pandashme që gjithashtu ka lehtësuar pjesërisht disa nga shqetësimet e mamasë për faktin se Connor nuk ka arritur të flasë deri në moshën 5-vjeçare.
“Kam frikë çdo ditë që dikush do të qeshë me të, - shtoi ajo, - sepse ai nuk flet saktë ose sepse nuk qëndron dot mirë në këmbë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë