Krijimi i një prej organeve të reja të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Gjyqësorit mund të finalizohet shumë shpejt.
Kjo për shkak se Gjykata e Lartë njoftoi paraqitjen e dy kandidaturave për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke krijuar kështu një mundësi për mbylljen një procesi të parashikuar nga reforma në drejtësi.
Brikena Ukperaj, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe Luan Dervishi, anëtar në Gjykatën e Apelit Shkodër janë dy emrat që kanë paraqitur interesin nga gjyqtarët e gjykatave të Apelit jashtë Tiranës për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Në bazë të parashikimeve ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët 6 janë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, ku 1 është anëtar nga Gjykata e Lartë, 2 nga Gjykatat e Apelit; dhe 3 nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore.
Të paplotësuar kanë mbetur dy vendet e anëtarëve nga Gjykata e Apelit. Por me këto dy kandidatura, formimi i KLGJ-së është një hap larg krijimit. Brikena Ukperaj e ka kaluar procesin e Vettingut, pasi ka kandiduar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 25 qershor ka dhënë vendimin pozitiv për Ukperajn. Brikena Ukperaj ka përfunduar fakultetin e Drejtësisë në vitin 2004 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006. Prej vitit 2016 është gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë.
Tashmë barra e verifikimi ka mbetur tek kandidatit Luan Dervishi. Ai ka përfunduar fakultetin e Drejtësisë në vitin 1985. Prej vitit 2007 është gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër. Ai mund të cilësohet si i fundmi i “mohikanëve” nga radhët e drejtësisë që kërkon të bëhet pjesë e KLGJ.
Anëtarët e tjerë të këtij Këshilli që kanë kaluar procesin e Vettingut janë Medi Bici nga Gjykata e Lartë, tre gjyqtarë të shkallës së parë: Manjola Xhaxho (Tiranë), Marçela Shehu (Kurbin) dhe Alma Brati (Tiranë), dy gjyqtarët Ilir Toska (Tiranë) dhe Nertina Kosova (Krimet e Rënda).
Ndërsa pesë anëtarë janë zgjedhur jashtë sistemit të drejtësisë që plotësojnë 11-shen e KLGJ, janë Fatmira Luli, Naureda Llagami, Erion Muharremaj, Alban Toro dhe Maksim Qoku.
Procesi i ngritjes të KLGJ ishte bllokuar për shkak të mos kalimit nga procesi i Vettingut të kandidatëve të propozuar.
Duhet të kujtojmë se për zhbllokimin e procesit të riparaqitjes së kandidaturave bëri apel edhe ambasada amerikane, e cila bëri thirrje që të aplikojnë për kandidatë në KLGJ.
“Shqipëria është në prag të krijimit të një sistemi drejtësie që vërtet i shërben interesave të qytetarëve të saj. Iu bëjmë thirrje gjykatësve të ndershëm, patriotë dhe me integritet nga gjykatat e apelit që të bëjnë përpara dhe t’i shërbejnë vendit të tyre në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Bëhuni pjesë e të ardhmes së Shqipërisë!”, thuhej në apelin e ambasadës së SHBA bërë më 28 gusht nëpërmjet rrjeteve sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.