Njerez

Një film për Klaudio Ndojën / Nga terrori i 97-s te titulli kampion në Itali

Ai sapo i kishte mbushur 14 vjeç dhe ndodhej në bordin e një gomoneje në detin Adriatik. Poshtë këmbëve kishte armë dhe thasë me kokainë. Ishte viti 1999, një ditë dhjetori. Me të ndodheshin 30 persona të tjerë, përfshirë babanë, nënën dhe motrën e tij. Të gjithë pa dokumente. Ata së shpejti do të zbarkonin në një realitet të panjohur, një jetë të re larg shtëpisë së tyre në Shkodër, ku nuk ndiheshin të sigurte as në oborrin e shtëpisë.

Quhet Klaudio Ndoja dhe ka mbi supe një histori dramatike, por me një fund të lumtur. Nga  plumbat e 97-ës arriti si klandestin në Itali dhe sot është një kampion. Që në moshën 9-vjeçare, i kishte lindur dashuria për basketbollin, por nuk e imagjinonte se një ditë ky do të ishte profesioni i tij,

Karrierën e nisi me ekipin e Shkodra  Basket. Trajneri i tij Korab Llazani u bë menjëherë një pikë referimi. Lamtumira e parakohshme e trajnerit bëri që të transferohej te Vllaznia. Në shkurt 1998, jeta e tërë familjes Ndoja u trondit. Ndërsa Klaudio dhe motra e tij Alba po luanin basketboll në oborrin e shtëpisë, vajza u godit nga një plumb qorr. Vendimi i babait ishte drastik: të paketonte dhe të largohej nga Shqipëria. Një zgjedhje për të garantuar një të ardhme më të mirë për familjen. Pas një udhëtimi të pafund, plot terror dhe pasiguri , familja Ndoja mbërrin në Itali, në Brindisi. Me vetëm pesëqind mijë lira në xhepat e tyre ishin nisur drejt një fati të panjohur. Përveç parave, ata nuk kishin as dokumente , ishin emigrantë të paligjshëm. Frika e tyre më e madhe ishte ajo e riatdhesimit.

Një fillim i vështirë, jetë tipike të një klandestini, deri sa një prift i ofroi adoleshentit Ndoja shansin për të luajtur basketboll me skuadrën e kishës duke e ndihmuar për të nisur procesin e legalizimit të letrave, një faktor tejet i rëndësishëm më pas për karrierën e Ndojës. Tek Desio, skuadra e tij e parë në 2001, fitoi dokumentet italiane, që atëherë suksese, dy ngjitje në Serie A me Brindisin dhe Virtus Bologna, tre kupa të Italisë dhe titulli kampion si kapiten.

https://www.youtube.com/watch?v=DSay2SxVMlc

Pistoia, 14 qershor 2012. Enel Brindisi promovohet në Serie A duke mposhtur mikpritësit e Giorgio Tesi Group, 88-86 para 4,000 tifozëve. Kapiteni? Klaudio. Trembëdhjetë vjet pas këtij udhëtimi të dëshpëruar, ai e gjen veten duke përfaqësuar klubin e qytetit që e kishte mirëpritur atë dhe familjen e tij. Nëse fillimi dhe fundi i historisë së Klaudio Ndojës ju ngjasojnë me një film, atëherë keni të drejtë. "Klod" titullohet filmi me metrazh të shkurtër me regji nga Marco Albano, prodhuar nga Komisioni i Filmit Apulia dhe Mediterraneo Cinematografica, i cili tregon historinë e jetës së lojtarit të parë shqiptar që ka shkelur parketin e basketbollit në Serie A. " Ideja ishte ta prezantonim në Festivalin Giffoni, mbase në ndonjë festival në Gjermani apo Francë, ku është prezentë tema e imigracionit. Por tani gjithçka është pezulluar për shkak të epidemisë. Le të presim"- shprehet regjisori.

Klaudio Ndoja tashmë është 35 vjeç dhe banon në Forlì, ku u aktivizua sezonin e fundit. "Do të ishte bukur sikur të bëhej një film, apo një seri televizive’’- do deklaronte ai para disa vitesh. "Kurrë mos thuaj kurrë me Klaudio-n, emër i zgjedhur nga gjyshja që adhuronte  Claudio Villa-n. Me sa duket e kisha Italinë në fat që në moshë të re". Me Ndojën gjithçka është e mundur. Jeta e tij e dëshmon. "Me librin tim" Vdekja është e sigurt, jeta nuk është ", unë tregoj historinë time rreth Italisë. Edhe në shkolla. Kam ëndërruar NBA si çdo fëmijë. Unë nuk kam arritur atje, por nëse nuk do ta kisha ndjekur atë ëndërr, mbase nuk do të isha këtu sot ". Gjithmonë të japësh më të mirën tënde nuk është thjesht një slogan, Klaudio beson në të, ky është mesazhi që ai synon të përçojë, i cili është një shembull për të gjithë.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë