Analize

Një “Bosfor” për Ballkanin. Plani i Kinës për ta kthyer rajonin në rrugë kryesore tregtare

Kina është në kërkim të rrugëve alternative për futjen e mallrave në Europë dhe Ballkani mund të kthehet në rrugëkalimin kryesor, ashtu si Turqia nëpërmjet ngushticës së Bosforit.

Kina ka propozuar së fundmi një zgjerim të ndjeshëm të lumenjve Vardar dhe Morava që mund të lundrohen në mënyrë që anijet e ngarkesave plot me mallra kineze të mund të kalojnë nëpër ta.

Kina ka investuar prej kohësh shumë në portet e Pireut (Greqi) dhe Trieste (Itali) nga ku mallrat e tyre shpërndahen më pas në të gjithë Evropën. Problemi është se transporti tokësor nëpër Kontinentin e Vjetër është shumë më pak efikas sesa transporti detar. Kamionët, trenat dhe avionët nuk mund të mbajnë aq ngarkesë sa një anije.

Sipas planit të Kinës, i cili vjen si pjesë e projektit Një Rrip një Rrugë, rruga e lundrueshme do të kalojë përmes lumenjve Morava dhe Vardar, duke arritur kështu në Evropën Qendrore pa rrethuar Mesdheun.

Projekti potencial do të sillte ndryshime rrënjësore në opsionet e transportit në rajon.

Sidoqoftë, plani për të ndërtuar një rrugë tregtare në Evropën Qendrore përmes Ballkanit kërkon marrëveshje bilaterale me të gjitha vendet e përfshira.

Në mënyrë të veçantë, Kina duhet të bie dakord me Greqinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, si dhe vendet europiane.

Nëse projekti realizohet, vendet e Ballkanit dhe Evropës Qendrore do të merrnin mallra më lirë dhe më shpejt, ndërsa eksportet e transportit do të kushtojnë më pak gjithashtu.

Në të njëjtën kohë, vendet e Ballkanit do të ishin në gjendje të transportonin produkte vendase në tregjet perëndimore të BE-së më lehtë, më shpejt dhe më lirë.

Zhvillimi i asaj që Kina e shikon si "Rruga e re e Mëndafshit" - duke përfshirë tokën, ajrin dhe detin - është tashmë në progres dhe përdorimi i lumenjve ekzistues nuk mund të lihet jashtë planit.

Rruga ujore do të ofronte një rrugë shumë më të shpejtë dhe me kosto më të ulët për ngarkesat e destinuara për në Evropë nga Lindja.

Zhvillimi i rrugës së re ujore do të ofronte një lidhje transporti nga Mesdheu Lindor drejtpërdrejt në zemër të Evropës, përmes lumenjve të Vardarit dhe Danubit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë