Futboll

Një arbëresh për kombëtaren, Panuçi fluturon drejt Argjentinës

Në prag të fillimit të eliminatoreve për kampionatin europian “Euro 2020” gjithmonë edhe më shumë për kombëtaren shqiptare, flitet për lojtarë të rinj që mund të t’i bashkohen grupit. Në këto 20 vitet e fundit jemi mësuar me futbollistë shqiptarë të lindur në vende të ndryshme të botës, por zgjedhin të veshin fanellën e kombëtares së origjinës së tyre. Këtë herë bëhet fjalë për një futbollist me origjinë të largët shqiptare. Është Tomas Guidara, argjentinas me origjinë arbëreshe nga qyteti jugor i Italisë, Farneta. Lajmin e kanë bërë të ditur mediet argjentinase që kanë marrë sponto pikërisht nga origjina e largët e Gudiaras.

Por nuk ka mbetur vetëm një spekulim mediatik, pasi mësohet se në ditët e ardhshme vetë trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Kristian Panuçi do të udhëtojë drejt Argjentinës, për të folur me mbrojtësin. Tomas Guidara është vetëm 22 vjeç dhe aktualisht luan për Belgrano në superligën argjentinase. Pozicioni i tij natyral është në krahun e majtë të mbrojtjes, por mund të bëjë mirë edhe në qendër të repartit difensiv. Nuk dihet nëse Guidara do të pranojë të luaj për kombëtaren shqiptare, pasi një handikap i madh për të është fakti që nuk mund ta flasë gjuhën shqipe.

Gudiara nuk është i vetmi futbollist argjentinas me origjinë arbëreshe që është përfolur për t’ju bashkuar kombëtares shqiptare të futbollit. Më herët në medie është folur edhe për mbrojtësin që tashmë luan për Milanin, Mateo Musakio. Ky i fundit ka një origjinë më të afërt me arbëreshët, pasi prindërit e tij kanë lindur në Portocannone, një qytezë e vogël shqiptare në jug të Italisë. Por gjithsesi kjo nuk ndikoi në vendimin e Musakios, i cili nuk pranoi të vishte fanellën kuqezi. Edhe futbollisti i kombëtares italiane, Antonio Kandreva është me origjinë arbëreshe, fakt që vetë sulmuesi i Interit e ka pranuar.

Një nga lëvizjet më të bujshme në këtë merkato dimri për futbollistët shqiptarë deri më tani, është kalimi i Françesko Tahirajt në superligën kroate, te Hajduku i Splitit. Sulmuesi 22-vjeçar që nuk është ende pjesë e kombëtares kuqezi, u largua nga kampionati slloven, ku bëri shumë mirë me Aluminij. Në pjesën e parë të këtij sezoni, Tahiraj shënoi 9 gola në 18 ndeshje, shifra që bindën Hajduk Split që të investonte tek ai. Në një prononcim të shkurtër për Gazeta “Si”, Françesko Tahiraj ka treguar për emocionet e para pas transferimit te Hajduku dhe objektivat e mëtejshëm. Sulmuesi 22-vjeçar në fjalët e tij ndjehet i nderuar për këtë transferim dhe i hodhi poshtë zërat që disa ditë më parë e çonin te Dinamo e Zagrebit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë