Kombetarja

Kalimi në Kroaci, Tahiraj mesazh Panuçit: Pres ftesën nga kombëtarja

Ardit Hoxha - Një nga lëvizjet më të bujshme në këtë merkato dimri për futbollistët shqiptarë deri më tani, është kalimi i Françesko Tahirajt në superligën kroate, te Hajduku i Splitit. Sulmuesi 22-vjeçar që nuk është ende pjesë e kombëtares kuqezi, u largua nga kampionati slloven, ku bëri shumë mirë me Aluminij. Në pjesën e parë të këtij sezoni, Tahiraj shënoi 9 gola në 18 ndeshje, shifra që bindën Hajduk Split që të investonte tek ai.

Në një prononcim të shkurtër për Gazeta "Si", Françesko Tahiraj ka treguar për emocionet e para pas transferimit te Hajduku dhe objektivat e mëtejshëm. Sulmuesi 22-vjeçar në fjalët e tij ndjehet i nderuar për këtë transferim dhe i hodhi poshtë zërat që disa ditë më parë e çonin te Dinamo e Zagrebit.

“Emocion i madh të jem pjesë i këtij klubi historik dhe tradicional siç është Hajduku. Kur u fol për te Dinamo, isha rrugës për në Split. Kështu që isha i vendosur dhe me një qëllim vetëm për te Hajduku.”-shprehet Tahiraj. Sulmuesi shqiptari dalë nga akademia e Juventusit tregon se ofertat nga klube të tjera europiane nuk kanë munguar në adresë të tij, por emri i Hajduk Split e bindi më shumë. “Kam pas mbi 10 oferta zyrtare por duke parë klubin e madh dhe mundësinë që të jep ky kampionat për të shkuar pata nuk pata dyshime.”

Mirëpo pas këtij transferimi të bujshëm, Tahiraj nuk mund të mos fliste edhe për kombëtaren shqiptare. Sulmuesi 22-vjeçar ka dhënë edhe një mesazh për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe trajnerin Kristian Panuçi, duke kërkuar që t’i jepet mundësia për t’u grumbulluar me kombëtaren kuqezi.

“Unë shpresoj t’ju ketë vajtur në vesh Federatës, shpresoj një ditë që të jem pjesë e kombëtares. Një mesazh të veçantë nuk kam. Panuçi dhe Federata ja duan të mirën Shqipërisë sigurisht, kështu që sido të jetë zgjedhja e tyre unë e pranoj. Por që të them të drejtën e pres shumë një ftes nga ana e tij.”- është shprehur Françesko Tahiraj për Gazeta "Si".

Nga ana tjetër sulmuesit shqiptar i është rezervuar një pritje shumë e ngrohtë nga klubi kroat. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajduku i Splitit i ka uruar mirëseardhjen Tahirajt edhe në gjuhën shqipe.

https://www.facebook.com/hnkhajduk/photos/a.512558142152411/2387768527964687/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë