Lajme

Një aplikacion i ri celular për fëmijët me astmë

Edhe pse janë vetëm një e katërta e popullsisë totale me sëmundjen e astmës, fëmijët përbëjnë gati gjysmën e këtij grupi të sëmurësh që shtrihen në spital, thotë ekipi që ka krijuar një pajisje dhe aplikacion të ri për të ndihmuar fëmijët që vuajnë nga problemet e lidhura me mushkëritë.
Frymëmarrja mund të jetë e vështirë për njerëzit që vuajnë nga sëmundja e astmës. Një kompani ka krijuar një pajisje portative që përdor sensorë dhe një algoritëm për monitorimin frymëmarrjen çdo ditë, duke lejuar përdoruesit të kontrollojnë gjendjen e mushkërive të tyre ndërsa luajnë një lojë në aplikacionin e tyre.
Në fokus të aplikacionit janë fëmijët.
"Ne jemi të përqëndruar tek fëmijët sepse ata kanë vështirësi të komunikojnë se si ndihen. Dhe, megjithëse janë vetëm një e katërta e popullsisë totale e të prekurve me sëmundjen e asmtmës, ata përbëjnë gati gjysmën e të prekurve që marrin trajtime në spitale”, thotë Charvi Shetty, themeluese dhe presidente e kompanisë Aluna.
Tre themeluesit e kompanisë Aluna vuajnë nga astma, dy prej tyre që nga fëmijëria.

“Kur gjërat përkeqësoheshin, thjesht duhej të shkoje në spital”, thotë Inderjit Jutla, bashkëthemelues i kompanisë Aluna.
Aplikacioni i tyre i ri inkurajon fëmijët të bëjnë përpjekjet e tyre më të mira për frymëmarrje. Një algoritëm analizon forcën dhe shpejtësinë e frymëmarrjes së tyre.
"Fëmijët që nuk e kryejnë mirë procesin e frymëmarrjes inkurajohen që të përpiqen më shumë ta përmirësojnë atë. Ne e dimë që procesi frymëmarrjes nuk ka shkuar mirë kur ka ulje dhe ngritje dramatike të shpejtësisë”, thotë Dr. Ngoc Ly nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko.
"Ne përdorim inteligjencën artificiale për të analizuar në thelb format valore të krijuara gjatë frymëmarrjes për të parë se ku po bëhen gabimet", thotë Inderjit Jutla, bashkëthemeluese e kompanisë Aluna.
Aplikacioni gjithashtu pyet fëmijët për mjedisin e tyre, si aktiviteti në natyrë, niveli i polenit, ndotja e ajrit, stërvitje, dhe krijon një regjistër për të parë se çfarë mund të ndikojë në shëndetin e mushkërive, duke parashikuar ndoshta edhe fillimin e një sulmi të sëmundjes së astmës.
"Disponimi i një pajisjeje personale mund të parandalojë sulme të rënda të astmës, për të cilat trajtimet në urgjencë janë të nevojshme", thotë Dr. Ngoc Ly nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko.
Kompania Aluna shpreson të marrë miratimin e Administratës amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve për përdorim të gjërë të pasjisjes këtë pranverë./voa


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë