Politike

Një 17 maj i dytë? Rama “nostalgjik”, Basha: Kurrë!

Para se të nisë pushimet e gushtit dhe të udhëtojë drejt Dhërmiut, ashtu siç ka bërë çdo vit, Kryeministri Edi Rama shtriu edhe njëherë dorën e bashkëpunimit për rivalin e tij opozitar, Lulzim Basha, që duket se i ka nisur pushimet më herët dhe raportohet se aktualisht ndodhet në Holandë.

Në një intervistë dhënë në emisionin “Përballë” të Lutfi Dervishit, kreu i qeverisë u shfaq nostalgjik për 17 majin e 2017-s dhe paktin e nënshkruar atëherë me Lulzim Bashën, që shpëtoi zgjedhjet parlamentare. Një pakt të ri me kreun e PD, Rama s’e sheh të pamundur.

“Kemi qenë dhe mbetemi të gatshëm për të bashkëpunuar me opozitën. Unë e kam treguar me fakte kokëforta dhe fakti më kokëfortë ishte shtrirja e dorës së bashkëpunimit për muaj të tërë ndaj opozitës për të garantuar procesin e kaluar zgjedhor dhe lutja për muaj të tërë ndaj kryetarit të opozitës dhe marrëveshja më në fund e arritur. Unë nuk mendoj se është e pamundur”, deklaroi Rama.

Kryeministri thotë se opozita s’ka as lidership, as vizion, as strategji dhe as program.

“Ecën kuturu pa menduar për hapin e tretë, të katërt, të pestë. Pra pavarësisht se ishte një mënyrë e mirë për të krijuar një eksperiencë dhe për të mësuar shahun, Lulzim Basha ka mbetur. Ne e vetmja gjë që nuk mund t’i ofrojmë Partisë Demokratike dhe simotrës së saj LSI është pushteti. Të tjerat janë të gjitha për diskutim. Nuk kemi asnjë problem”, vijoi ai.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10156000692216523/

Mazhoranca duket se e ka konkrete ofertën e bashkëpunimit, por për detajet se deri në çfarë niveli do të shtrihet propozimi për bashkëpunim duhet pritur shtatori dhe nisja e sezonit të ri politik.

“Jemi duke përgatitur një platformë bashkëpunimi që do ta bëjmë publike me fillimin e sezonit të ri parlamentar dhe jemi të gatshëm për çdo propozim të opozitës që nuk na kthen mbrapa”, njoftoi Rama.

Në fund të sesionit parlamentar, mazhoranca kërkoi votat e opozitës për të plotësuar shumicën e cilësuar prej 84 votash, që të ndryshonte ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ndryshimet do t’i hapnin rrugë emërimit të magjistratëve të sapodiplomuar. Por në vend të votave, mori një kundërpropozim me 7 pika nga Lulzim Basha, ku pika e parë ishte shfuqizimi i të gjitha ligjeve të kaluara në kuadër të reformës në drejtësi, por të miratuara nga mazhoranca pa konsensusin e opozitës. Por, Rama kur thotë “nuk ka kthim pas” ka ndërmend pikërisht reformën në drejtësi.

“Rikthim mbrapa te ligjet e reformës në drejtësi, rikthim mbrapa tek ligji i Vetting-ut, nuk ka për të patur përsa kohë që do të jemi në krye të këtij vendi”, theksoi Rama.

Por, as për Bashën nuk ka kthim. Ai flet vetëm për një misionin opozitar.

“Kurrë! Koalicion me Edi Ramën nuk do të ketë kurrë! Detyra ime, e PD  është largimi i Edi Ramës nga pushteti dhe nxjerrja e tij bashkë me Tahirin, Gjiknurin, Dakon, Sejdinin dhe të gjithë politikanët e lidhur me krimin para drejtësisë!”, iu përgjigj ai Kryeministrit në distancë përmes rrjeteve sociale.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1024396559860092928

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë