Nga Gazeta 'SI' - Në Shqipëri qarkullojnë rreth 403 mld lekë jashtë sistemit bankar, sipas shifrave që i përkasin korrikut 2024. Ndonëse qeveria nuk ka dhënë asnjë kontribut në ofertën monetare (ka kryer vetëm 18% të investimeve publike), qarkullimi i parasë në vend ka prekur një vlerë rekord.
Rritja e parasë në qarkullim mund të lidhet me sezonin veror, por edhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, që është tashmë në një “luftë të ftohtë” me kursin e këmbimit.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në maj 2024, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është rritur me 12 mld lekë nga qershori dhe raportohet 793.3 mld lekë.
Agregati M2 (M1 bashkë me depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) është rritur me 11 mld lekë nga qershori duke shkuar në 997.7 mld lekë.
Agregati M3 (paraja e gjerë përfshin M2 plus depozitat në valutë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) ka pësuar një rritje me rreth 2 mld lekë nga qershori, por rënie 9 mld lekë nga dhjetori. Në korrik 2024 raportohet 1.71 trilion lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.