Njerez

Nita Zeqiri  sjell “Humans of DokuFest” – të reflektosh për veten dhe botën

Merita Rama- Artiste/ “Humans of Dokufest”

Suadela Balliu - Për jetën, dashurinë dhe dhimbjen, fëmijërinë dhe përbindëshat, zjarrin dhe zemërimin,  yjet dhe  bukurinë...Një ftesë për reflektim mbi kuptimin universal të ekzistencës ka qenë ajo që fotografia Nita Zeqiri ka bërë me projektin e saj “Humans of DokuFest” në kuadër të këtij edicioni të 17 –të  Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar,  që po mbahet në qytetin e Prizrenit, nga data 4 deri më  12 gusht.

E frymëzuar nga “Humans of New York”, një nismë e ngjashme me fotografi  portretesh  të shkrepura në rrugë dhe rrëfime të njerëzve të rastësishëm, mbërthyer nga syri i fotografit Brandon Stanton,   artistja multimediale nga Kosova synon që përmes këtij projekti të  dokumentojë momente, mendime, opinione dhe perspektiva të njerëzve të ndryshëm që janë pjesë drejtpërdrejt ose jo e ‘DokuFest”.

Nita Zeqiri, ideatore e "Humans of DokuFest"

“Duke takuar njerëz në  “Dokufest” dhe dëgjuar perspektivat  e tyre, u inspirova qe t’i dokumentoj momentet dhe mendimet e tyre përmes këtij projekti.” – rrëfen Zeqiri, ndërsa shton që ky projekt  është ftesë  për të reflektuar për veten dhe botën rreth nesh.

Do të jenë rreth njëzetenjë njerëzit që do të fotografohen dhe do të intervistohen për këtë projekt deri në përmbyllje të festivalit, ndërsa deri  tani janë përgjigjur pesëmbëdhjetë prej tyre, rrëfimet dhe fotografitë e të cilëve  janë shfaqur edhe në faqen  e Facebook-ut  të “DokuFest”

“Përgjithësisht, njerëzit po i përgjigjen  pozitivisht ftesës për të  qenë pjesë e projektit.” – shton fotografja e lindur  në  Mitrovicë.  Çdo reflektim mbyllet në fund me një pyetje, e cila shndërrohet në ftesë për atë që lexon, “Ç’ka reflekton ti?”. Tema e reflektimit është ajo çka ka përkufizuar  këtë edicion të “DokuFest”, titulluar “Reflect/ I’ll be your mirror”. “Është përvojë jashtëzakonisht e mirë të takohesh me njerëz dhe për pak minuta të kesh mundësinë t’i njohësh në  një nivel më  personal.”- rrëfen Zeqiri rreth përvojës në këtë projekt.

Dean Hunt| shkrimtar |

 Unë mendoj se çdo pasqyrë ka mendime. Nuk mund të pasqyroni dikë në mënyrë objektive, edhe nëse ata/o shikojnë veten në sytë tuaj - sepse ata/o e shohin veten përmes ngjyrës së syve tuaj. Të jesh një shok/shoqe dhe përkrahës i mirë është të kujtosh historinë e dikujt dhe të reflektosh prapa atë që ke parë nga jeta e tyre. Të jesh një pasqyrë për dikë si një shok/shoqe është si t'i japësh jetën dikujt përsëri atyre në një mënyrë që ta shohin atë në një mënyrë të re.

Dean Hunt -shkrimtar / Humans of  DokuFest

Por ndryshe nga projekti “Humans of New York”, i cili nga rrugët e Nju Jorkut, nisi rrugëtimin e portreteve dhe rrëfimeve personale në 20 shtete të botës, Zeqiri thotë se nuk ka asnjë plan për ta nxjerrë këtë projekt edhe jashtë “DokuFest. “Që nga fillimi u mendua të  realizohet vetëm me njerëzit që  janë të  përfshirë në  festival.  Mbetet të  shihet nëse do të  vazhdojë  në  edicione të tjera.”, vijon ajo, ndërsa zbulon se këto kohë është e angazhuar me nisma që synojnë të ndihin ndryshime pozitive në shoqëri përmes aktivizmit kulturor, përmes fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, të cilin e drejton.

Ina Pira | kuratore në Vimeo |

 Unë mendoj se shumica e filmave kanë fuqinë të jenë refleksiv dhe në një farë mënyre na tregojnë një pjesë të vetes qoftë nëse është në dokumentarë, fiksion apo ndonjë zhanri tjetër- filmat kanë fuqinë për të zbuluar diçka brenda nesh...

Ina Pira -kuratore në Vimeo/ Humans of DokuFest

Që në moshë të re, Nita Zeqiri është angazhuar në sektorin e organizatave joqeveritare për fuqizimin e të rinjve. Më 2008-ën, themeloi “Tung Kosova” një projekt që  synonte promovimin e  trashëgimisë kulturore të Kosovës përmes videove dhe fotografisë.

Megjithëse është diplomuar në Administrim Biznes dhe Ekonomi,  nga viti 2003 do i përkushtohej fotografisë ndërsa ka realizuar disa projekte dhe ekspozita fotografike vetjake  si Momente Qetësie”, “Në Botën Teatër” dhe  “n’Pah”.  Gjithashtu ka qenë pjesë ekspozitave të përbashkëta, kombëtare e ndërkombëtare , jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe në Venecia e Londër.

Puna e saj është vënë re edhe përtej Kosovës , si në revistën prestigjioze “National Geographic” dhe në ekspozita si “ Qytete të zgjuar dhe identitete hibride” në Venecia të Italisë. Në vitin 2013, fotografia e saj “Nusja” u zgjodh si Foto e Ditës nga revista prestigjioze “National Geographic”.

Nga ekspozita "n'Pah" e Nita Zeqirit, Prishtinë 2014

Një tjetër fokus i artit dhe angazhimit të saj social është edhe vënia në pah e gruas dhe vlerës së saj në shoqëri. Duke marrë shtysë nga një dokumentar mbi Elena Gjikës e njohur edhe si Dora D’Istra -  shkrimtarja dhe publicistja shqiptare vepra e së cilës ka mbetur në heshtje - nisi kërkimin  për projektin e saj “Gra të mençura shqiptare”.

Kështu më  2014 –ën,  ekspozita e saj “n’Pah” – detaje shekullore me simbole të lashtë pagane, nga besimet, traditat dhe kultura vendase që po zhduken dalëngadalë , gjetur në veshje e zbukurime të ndryshme të grave –pushtoi muret e ndërtesave publike në Prishtinë.  

Një tjetër projekt i krijuar prej saj është edhe “Shkatërrimi i Patriarkatit”, projekt i cili do të vijojë deri në fund të këtij viti.  “Në shekullin 21, patriarkati vazhdon të mbetet si një sistem i padrejtë social që imponon rolet gjinore dhe është shtypës ndaj grave dhe burrave. Dhe do të duhen edhe shumë vite para se të mund të eliminohet përfundimisht.” Me këto fjalë pëshkruhet projekti, ndërsa synohet që brezat e rinj, nën shembullin dhe trashëbiminë  atyre që e nisën luftën kundër patriarkatit, të sjellin ndryshime reale, deri në shkatërrimin e fundëm të tij.

Edona Kryeziu' Humas of DokuFest

 Unë gjithmonë kam qejf me dal’ jashtë zonës sime të rehatisë për ta parë realitetin e të tjerëve në mënyrë që të reflektoj për realitetin tim - sepse krejt kjo është e përbashkët. Përvojat e mia më kanë bërë të reflektoj më shumë jo vetëm për veten, por për gjithë botën pak a shumë. Pra për ta parë vetën jo vetëm si individ, po si pjesë e diçkaje më të madhe - për të pas’ përgjegjësi shoqërore. Reflektimi nis me ty.

Edona Kryeziu/ Humans of DokuFest

Nita Zeqiri ka realizuar gjithashtu disa filma dokumentarë e me metrazh të shkurtër me të cilët është paraqitur në festivale ndërkombëtare si në Holandë, Zvicër, Bosnje-Hercegovinë e Maqedoni.

“Në këtë fazë jam duke realizuar  dy projekte të filmit dokumentar.”, zbulon ajo planet e afërta, e ndërsa ende po punon për të përmbyllur projektin “Humans of DokuFest”, përfundon duke thënë se mes larmisë së portreteve dhe këndvështrimeve mbi jetën e gjithë elementet që e bëjnë atë më të bukur, e sheh sesi kjo ftesë për reflektim frymon çdo ditë e më shumë duke tërhequr njerëz me sfonde të ndryshme në një meditim filozofik, që i bën të ndalen pak në vrullin e së përditshmes dhe t’i japin peshë edhe gjërave të harruara ...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë