Politike

Nisma e PS: Meta nxiti përplasjen me armë në Elbasan, shkeli paanshmërinë

Socialistët kanë materializuar nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta dhe në dokumentin e firmosur nga të paktën 47 deputetë. Në dokumentin prej 41 faqesh renditen, sipas nismëtarëve, një sërë shkeljesh të Kushtetutës nga ana e Presidentit.

Meta akuzohet se nuk ka garantuar unitetin kombëtar dhe se në vend të zbutjes së konfliktit politik, e ka nxitur atë duke u bërë palë me opozitën. Mes rreshtave të dokumentit, Presidenti fajësohet si nxitës edhe i përplasjes me armë në Elbasan.

“Ilir Meta para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të 2021, me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla që sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes, si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve, përfshirë vënien në rrezik të jetës së efektivëve të Policisë së Shtetit”, thuhet në kërkesën që PS ka dorëzuar në Kuvend.

Sipas mazhorancës, deklaratat dhe mesazhet e intensifikuara të Presidentit janë qartazi të njëanshme.

“Favorizojnë partitë opozitare dhe që njëkohësisht denigrojnë mazhorancën, duke cenuar kështu rëndë barazinë e konkurrimit politik dhe duke shkelur paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës”, vijohet më tej.

Analiza e deklaratave të Metës të paktën që prej muajit shkurt dhe socialistët janë të bindur se përmbajtja e tyre është një mesazh i qartë kundër mazhorancës dhe mbrojtje publike e interesit të një grupimi individësh opozitarë.

“Në të gjitha daljet e tij publike ka kryer aktivitet partiak në mbrojtje të interesit të një grupimi të individëve të cilët kryesisht i përkasin opozitës, duke ftuar popullin për të treguar maturi dhe “rrëzuar regjimin në fuqi”. Përdorimi i termave si, “banda në pushtet”, “banda e rilindjes”, etiketimi i përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave si “përfaqësues të Ndranghetas”, cilësimi i nevojës për përdorimin e votimit të datës 25 prill  si ditë referendumi që “përfundon bandën në pushtet”, janë thirrje të hapura kundër mazhorancës qeverisëse të ngjashme me ato të përdorura nga liderët e partive opozitare”, thuhet mes të tjerave në kërkesën e PS.

Deputetët firmëtarë thonë se janë shkelur rëndë të paktën tre nene të Kushtetutës dhe vetë formula e betimit, që Meta ka lexuar në momentin e marrjes së detyrës së Presidentit.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se kërkesa plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për t’u shqyrtuar nga Kuvendi.

“Do t’i kalojë për shqyrtim Komisionit të Ligjeve që brenda një afati duhet të shprehet nëse kërkesa plotëson kriteret ligjore dhe formale dhe më pas të ngrihet komisioni hetimor parlamentar që duhet të vlerësosjë nëse ekzistojnë dyshimet e hedhura”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë