Kryeministri Edi Rama inauguroi sot nisjen e punimeve të një vepre të re të infrastrukturës kombëtare, Bypass-in e Tepelenës. Kreu i qeverisë u shpreh se ky projekt i ri infrastrukturor do të transformojë jo vetëm qytetin e Tepelenës, por të gjithë zonën.
“Më vjen shumë mirë që sot finalizojmë prej disa kohësh dhe çelim një kantierë me një rëndësi strategjike për zhvillimin e mëtejshëm të Tepelenës. Më parë askush nuk ndalonte në Tepelenë, të gjithë donin të iknin. Kjo vepër e premtuar për dekada të tëra, e cila mjafton për të ilustruar më së miri se sa shumë kohë dhe energji dhe para janë humbur në përpjekjet e vazhdueshme për bypass-et e premtuara. Ka pasur një mungesë të plotë përgjegjshmërie në hartimin e projekteve”, u shpreh kryeministri.
Ai gjithashtu bën të ditur se është rikonceptuar skema e financimit e Bypass-it të Tepelenës.
“Në bashkëpunim me BB rimodeluam skemën e financimit. Në fillim të gushtit hapen ofertat dhe brenda shtatorit, në rastin më të keq, në tetor nis puna në By pass-in e Fierit, ai i Vlorës do të marrë edhe pak kohë më shumë. Ka nisur puna në ditët e shkuara për By Passin e Milotit.
Sot jemi në kushtet ku projekti është realizuar dhe praktikisht vrima e zezë ku shkarkohen gjithë flukset nga Levani në Tepelenë dhe pastaj Gjirokastër e Kakavijë, pa asnjë standard që ngadalëson qarkullimin dhe është vazhdimisht e rrezikshme do të eliminohet”, vijoi më tej kreu i qeverisë.
Rama bëri të ditur se është po ashtu e domosdoshme ndërhyrja në rrugën Tiranë-Elbasan.
“Jemi të detyruar të ndërhyjmë përsëri në rrugën tanimë legjendare Tiranë-Elbasan e cila ju kujtohet të gjithëve që u hap me një tunel njëkalimsh me bujë të madhe dhe pastaj u ekspozua ndaj shkarjeve dhe shembjeve”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.