Njerez

Nisi para 20 vitesh, Jennifer Lopez dhe Ben Affleck finalizojnë dashurinë e tyre me një dasmë në Vegas

Bennifer më në fund janë të martuar! Jennifer Lopez dhe Ben Affleck janë zyrtarisht burrë e grua.

Çifti i fejuar dy herë u martua të shtunën vonë në Las Vegas, Nevada. Lopez konfirmoi të dielën përmes rrjeteve sociale se ishin martuar duke ndarë foto dhe video nga ceremonia.

"Dashuria është e bukur. Dashuria është e mirë dhe dashuria qenka edhe e durueshme. Njëzet vjet durim", ka shkruar Lopez.

“Mbrëmë ne fluturuam për në Vegas, qëndruam në radhë për një ceremoni me katër çifte të tjera, të gjithë duke pritur të martohen në kryeqytetin e dasmave”, shkroi gjithashtu Lopez.

Megjithëse dasma nuk ishte ajo magjepsësja që prisnin të gjithë, Lopez tha se ishte "dasma më e mirë e mundshme që mund të kishim imagjinuar".

Lopez veshi një fustan nga një film i vjetër ndërsa Affleck një kostum të thjeshtë që e kishte pasur në dollap. Lopez dhe Affleck gjithashtu lexuan betimet e tyre në kishën e vogël dhe i dhanë njëri-tjetrit unazat që do të mbajnë për pjesën tjetër të jetës.

Dokumentet e gjykatës të postuara të dielën zbuluan se Lopez, 52 vjeç dhe Affleck, 49 vjeç, morën një certifikatë të shtunën në Clark County, Nevada. Dokumenti tregon se Lopez ka marrë mbiemrin e Ben dhe tani është zyrtarisht Jennifer Affleck.

Lopez njoftoi fejesën e saj me Affleck në prill me një video të shpërndarë në rrjetet sociale.

Affleck i propozoi për martesë me një unazë me një diamant të madh jeshil dhe dy diamante anash, një nuancë e ndryshme nga diamanti rozë me të cilin ai i propozoi asaj për herë të parë, gati 20 vjet më parë.

Lopez dhe Affleck u panë së bashku në shumë raste, pas ndarjes së Lopez nga Alex Rodriguez në prill 2021.

Të dy konfirmuan lidhjen e tyre duke u zyrtarizuar në Instagram korrikun e kaluar, kur Lopez postoi një foto të saj duke u puthur me Affleck ndërsa festonte ditëlindjen e saj të 52-të.

Çifti u takua në vitin 2002 në xhirimet e komedisë romantike "Gigli", ndërsa Lopez ishte ende e martuar me bashkëshortin e saj të dytë, balerinin Cris Judd. Dyshja u bë publike me lidhjen e tyre menjëherë pas divorcit të Lopez nga Judd.

JLo dhe Ben Affleck në vitin 2002.

"Bennifer" pushtoi gjithë Hollivudin në atë kohë. Çifti u fejua në nëntor të vitit 2002 dhe në 2004 i dhanë fund fejesës së tyre, duke fajësuar të gjithë vëmendjen e medias për prishjen e marrëdhënies së tyre.

Në vitin 2008, Affleck deklaroi se të dy kishin gabuar duke e bërë publik çdo detaj të marrëdhënies së tyre dhe kjo i kishte ndarë për të rigjetur sërish njëri-tjetrin pas shumë vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë