Futboll

Nisi me Shqipërinë, nderimi ushtarak përsëritet nga ekipi i Erdoganit

Mbrëmja e së enjtes ka rikthyer polemikat e çështjes së përshëndetjes ushtarake nga ana e turqve, të cilët nderojnë kështu forcat e armatosura të Erdoganit në zonën kurde të Sirisë. Një përshëndetje që nisi në ndeshjen Turqi-Shqipëri, ku pas golit të fitores, futbollistët turq u rreshtuan dhe bënë gjestin që më pas u kritikua nga të gjithë, sepse është një nxitje për luftën. Të njëjtën përshëndetje turqit bënë edhe në Francë pas golit, duke sjellë zemërimin e pushtetarëve francezë, të cilët kërkuan publikisht një dënim shembullor nga ana e UEFA-s dhe FIFA-s.

“Benzinë zjarrit” i ka hedhur së fundi ekipi i Instambul Bashakshehirit, që njihet si klubi i presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Pas ndeshjes së Europa League ndaj austriakëve të Volfsberger, ku fituan 1-0, lojtarët e Bashakshehirit, mes të cilëve edhe braziliani Robinjo, kanë bërë përshëndetjen ushtarake për nder të trupave turke në frontin e luftës para tifozëve dhe fotografëve në stadium. Protagonistë të fotos që më pas u publikua nga klubi në rrjetet sociale, janë Edin Viska, kapiten i ekipit, Irfan Kahveçi, autori i golit të fitores, Azubuike Okeçuku dhe Robinjo, braziliani i njohur që ka luajtur edhe me Real Madridin, Mançester Sitin dhe Milanin.

https://twitter.com/ibfk2014/status/1187449704088571904
Fotot e postuara nga klubi i Bashakshehirit pas ndeshjes. Gazeta Si, 25 tetor 2019

Është një çështje që po merr përmasa gjithmonë e më të mëdha. Pak ditë më parë, lojtarët e Fenerbahçes, ku luan edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Murriqi, dolën në fushë me fanella të bardha, ku ishte shkruan një mesazh mbështetës për ushtarët turq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë