Politike

Nis votimi për kandidatët nga baza, PD kërkon pjesëmarrje masive

Partia Demokratike nisi fushatën të premten në qarkun Kukës duke përfshirë anëtarësinë në votimin e kandidatëve për deputet, pasi janë filtruar më parë nga komisioni i Vlerësimit.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së. Gazmend Bardhi, ftoi demokratët që të marrin pjesë masivisht në këtë proces.

“Unë dua t’i bëj thirrje çdo anëtari të Partisë Demokratike, të marrë pjesë në të gjithë Shqipërinë në këtë proces që ndodh për herë të parë në një parti politike, ku vullneti i anëtarëve dhe qytetarëve shqiptarë është ai që do të përcaktojë ekipin të cilin ne do t’i drejtohemi dhe do t’iu kërkojmë votën qytetarëve shqiptarë.

Zëri i tyre, mendimi i tyre në përzgjedhjen e kandidatëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse kandidatë që zgjidhen nga qytetarët me votën e tyre, me vullnetin e tyre, që përzgjidhen nga anëtarët do të jenë pikërisht njerëzit që nesër do të punojnë për interesin e këtyre qytetarëve.

Prandaj, apeli im është për çdo anëtar të Partisë Demokratike të marrë pjesë në këtë proces demokratik, e ripërsëris, që ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe që ndodh vetëm në Partinë Demokratike, duke bërë një dallim të qartë midis nesh, Partisë Demokratike dhe partisë së kryeministrit në ikje”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë