Muzike

Nis sonte ‘Sunny Hill’, por Dua Lipa nuk do të këndojë në Tiranë!

Nga Gazeta Si - Këtë të premte (26 gusht) nis “Sunny Hill Festival” në Tiranë, edicioni i parë i këtij festivali në vendin tonë.

Emra të ndryshëm të muzikës shqiptare dhe të huaj do të ngjiten në skenën e Sunny Hill Tirana përballë panoramës që ofron Liqeni Artificial i Tiranës, ku skena tashmë është gati të mirëpresë edicionin e parë të këtij eventi muzikor në Shqipëri.

Po cilët janë artistët dhe kur do të ngjiten ata në festivalin e Dua Lipës, i cili do të zgjasë 3 mbrëmje radhazi dhe a do të jetë vetë Dua Lipa?

Fat Gjakova, një nga organizatorët e ‘Sunny Hill’ është shprehur në një intervistë se Dua Lipa nuk do të këndojë në Tiranë.

Ai u shpreh se për shkak të agjendës së këngëtares e cila është e organizuar shumë kohë më parë, Lipa do të jetë në Amerikën Latine e angazhuar atje, gjatë kohës që në kryeqytet do të këndojnë 40 këngëtarë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Ndërkohë, ekipi i Tirana Sunny Hill Festival ka publikuar programin ditor të festivalit që do të shtrihet përgjatë fundjavës, duke nisur nga e premtja e shtuna dhe për t’u përmbyllur të dielën.

Action Bronson, reperi i famshëm italian Fedez, Tananai, por dhe artistë shqiptarë si Dren Abazi e Dafina Zeqiri do të jenë të parët që do të nisin festivalin.

Më herët, në një intervistë për Gazetën “Si”, përfaqësuesi i Sunny Hill, Alban Kastrati sqaroi dhe çmimet e biletave dhe mënyrën e blerjes së tyre.

Ai u shpreh se biletat ‘early bird ëindoë’ (biletat kur fansat rezervojnë shumë përpara një ngjarjeje), ishin 100 euro për edicionin, dhe jo bileta ditore.

“Momentalisht, nuk kemi bileta ditore, por bileta për një edicion të festivalit edhe për pak orë është 100 euro për tri ditët e festivalit, që kur zbërthehet në ditë i bie pak më shumë se 30 euro në ditë për një lineup që është jashtëzakonisht interesant dhe i paparë ndonjëherë në Shqipëri”, do të shprehej Kastrati për Gazetën Si.

Ai tha se më tej do të vijonin ‘regular ticket’, ku çmimi është 120 euro dhe mund të blihen deri në ditën e fundit. Ndërsa biletat VIP, çmimi i të cilave është 350 euro, do të ndalen më herët.

Duke e cilësuar si një event shumë të madh kulturor, Kastrati tha se pritet një pjesëmarrje e madhe edhe në Tiranë.

“Ne presim të kemi shumë pjesëmarrës në festival, por momentalisht nuk e kemi një numër të saktë”, do të shprehej ndër të tjera Kastrati.

Në Prishtinë Sunny Hill Festival u mbajt nga data 4 deri më 7 gusht dhe këtë vit, edicioni i festivalit erdhi me thirrjen “Setmefree”, drejtuar BE-së për të hapur vizat për Kosovën.

Ndërsa këngëtarja Dua Lipa dha një performancë të jashtëzakonshme në mbrëmjen hapëse të festivalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë