Taksa

Nis skema e naftës pa taksa për fermerët, opozita replikon për korrupsionin

Duke filluar nga 15 janari hyn në fuqi vendimi i njoftuar që në tetor të vitit të kaluar nga ana e Qeverisë që zhvesh nga të gjitha taksat naftën për fermerët.

Taksat që hiqen janë akciza, TVSH dhe taksa e qarkullimit dhe karbonit. Nga përllogaritjet e Qeverisë, nga kjo skemë përfitojnë rreth 70 mijë fermerë të pajisur me NIPT, ndërkohë që u është bërë thirrje edhe fermerëve të tjerë të paregjistruar që ta bëjnë këtë për të përfituar rreth 80 lek ulje për litër në çmimin e naftës.

Përfitues janë fermerët individualë, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, të njohura edhe si kooperativa dhe personat fizikë, ose juridike që ushtrojnë veprimtarinë në bujqësi.

Këta subjekte duhet të aplikojnë përmes e-Albanias, ose në zyrat e qeverisjes vendore. Dokumentat që duhet të dorëzojnë janë NIPT aktiv, certifikatë pronësie, ose që kanë në zotërim një tokë bujqësore, madhësinë totale të fermës, që duhet të jetë mbi 0.4 hektarë dhe një parcelë jo më pak se 0.1 hektarë.

Qeveria thotë se skema mundësohet falë reformave strukturore ekonomike të ndërmarra ndër vite, por Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e vlerësojnë si premtim elektoral dhe që për më tepër lë shteg për abuzim.

Opozita propozon rimbursim në vend të heqjes së taksave dhe së bashku me një pjese të ekspertëve mendon se përfituesit e vërtetë të naftës me gjysmën e çmimit nuk do të jenë fermerët.

“Ajo naftë nuk do të shkojë për bujqësinë, sepse e ka më të lehtë dhe më afër të rishitet në treg të zi, ose të shkojë në serbatorët e veturave. Pushteti shpërndarës dhe pompist i naftës pa akcizë për fermerin, mbi bazë vetëdeklarimi online të sipërfaqes së pa punuar dhe të pa mbjellë, është thjesht demagogji dhe shashkë elektorale”, deklaronte në muajin tetor, në atë kohë përfaqësuesi i LSI-së, Edmond Panariti, që aktualisht është shef kabineti në Presidencë.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë