Lajme

Pakti me Serbinë, seanca e jashtëzakonshme në Kosovë

Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seancë e jashtëzakonshme me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Haradinaj kërkoi seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar propozim-vendimin e qeverisë për emërimin e ekipit negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se pika e vetme e rendit të ditës do të jetë debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për ‘shkëmbimin e territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’.

Deputetë të partive PDK, AAK kanë hyrë në sallën e Kuvendit ku po presin të bëjnë kuorumin për të nisur seancën rreth votimit të emrave të ekipit negociator.

Deri tani në sallë janë vetëm 61 deputetë, ndërsa opozita ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në seancë.

Kryeministri Haradinaj prezantoi emrat e ekipit negociues për dialogun me Serbinë, duke filluar me kryesuesin Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj zëvendës-kryesues dhe anëtarët Behgjet Pacolli, Dardan Gashi dhe Mahir Hagxhillar.  

Ai u shpreh se në këtë ekip kanë vende të rezervuara edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile.

Ndërsa, në Kosovë po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, thekson se demarkacioni me shqiptarët është çështja e vetme e kufijve që do të futej në agjendë në rastin e Dejtonit të ri.

Daçiq në një deklaratë për “Telegrafin” serb, u shpreh se “Parakushti për këtë është që qëndrimet e të dy palëve të përafrohen”, duke shtuar se pozicionet aktuale të të dy palëve janë tepër larg.

Pra,  zgjidhja mund të jetë e ashtuquajtura, “Dayton 2”, respektivisht,  të organizohej një konferencë e madhe ndërkombëtare që do të duhej të mbahej para majit 2019, kur skadon mandati i Komisionit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë