Kosova

Nis reduktimi i forcave policore në objektet komunale në veri të Kosovës

Policia e Kosovës ka nisur t’i reduktojë trupat e saj në objektet komunale në veri të vendit, pas pranimit të vendimit të qeverisë.

Reduktimi i forcave policore ka ndodhur para mesnatës së mbrëmshme, ndërsa këto lëvizje janë zhvilluar paralelisht nga komunat Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se ka filluar të implementohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e njësisë speciale nga veriu.

“Po, ka filluar reduktimi i njësive policore nga komunat ku kemi qenë prezentë. Gjatë ditës së sotme, pritet të përfundojë operacioni”, ka thënë nënkoloneli Elshani.

Qeveria e Kosovës njoftoi mbrëmjen e së martës(11 korrik) se ka rënë dakord që të zvogëlojë praninë policore në Veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Të gjitha hapat, sipas Qeverisë së Kosovës, do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

Ky dakordësim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratislavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë