Lajme

Protesta e artistëve para Parlamentit

Artistët të përkrahur nga Opozita dhe shoqëria civile janë mbledhur sot për të protestuar kundër miratimit nga Kuvendi të projekligjit për Teatrin.

Protesta po zhvillohet në rrugën para Kuvendit, ndërsa aktivistë të shumtë mbajnë në duar pankartat “mbroteatrin”. 

Pas disa minutash që nisi protesta, në oborrin e Kuvendit u hodh një tymuese.

Ndërkohë kanë ardhur dhe komentet e para të artistëve, të cilët janë kundër draftit të qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Regjisori i njohur, Robert Budina, u shpreh se sot protestojnë për projektligjin e teatrit dhe se do t’i japim një mësim politikës, e cila sot duhet të reflektojë mbi teatrin.

Sot i themi qeverisë të reflektojë, ne do të bëjmë detyrën tonë dhe do të jemi në bashkëpunim të ngushtë me policinë. Ne do t’i japim një mësim politikës, do të bëjmë rezistencë. Ky është një proces dhe ne nuk jemi të orientuar pasi nuk ka një grup që do të merret më ktë projektligj. Teatri nuk duhet të përbaltet, këtë po përpiqemi të përçojmë sot. Qeveria mund ta shkel ligjin, por ne jo. Ne do jemi në Teatrin Kombëtar.

Të tjerë artistë të pranishëm kanë folur në lidhje me projektligjin për Teatrin.

Aktori Neritan Liçaj ka thënë se tërheqjen e projektiligjit do ta konsideroja qytetari.

Mos e kaloni këtë ligj. Është një ligj i papranueshëm. Në çdo logjikë. Votoni si shqiptarë me zemër. Votoni Kuq e Zi. Shqiptarët janë larë në gjak ndër shekuj për një Universitet, Teatër. Nëse projekligji votohet do të ndërmarrim hapat tanë por si gjithmonë në mënyrë civile. Unë shpresoj të mos votohet projektigji. Tërheqjen e tij do ta konsideroja një qytetari. Theksoj shprehjen e Nënë Terezës që lë të kuptojmë që i përkasim njëri-tjetrit dhe të gjejmë paqe. Ne aktorët jemi prezencë, ne fjalën tonë e kemi thënë.

Ndërkohë edhe aktorët Anila Bisha e Alert Celoaliaj i kanë bërë thirrje qeverisë dhe parlamentit të mos votojnë sot projektligjin për nisjen e negociatave për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar.

“Të paktën sot keni shansin ju deputetë që të tregoni që jeni të drejtë, Justifikoni betimin që keni bërë. Nuk e di çdo ndodhë por shpresoj të kenë ndërgjegje. Mos u udhëhiqni nga lideri juaj. Nëse votohet kjo është dita më e zezë sepse do të na kthejë 50 vjet prapa”, u shpreh aktorja Anila Basha.

“Mos kaloni këtë ligj, godet historinë. Jemi për të mbrojtur dy institucione shumë të rëndësishme. Unë besoj tek njerëzit  e qytetëruar dhe këta lloj njerëzish nuk e kalojnë ligjin. Kjo nuk është betaja e fundit, ne do të vazhdojmë rezistencën qytetare për ta mbrojtur Teatrin. Nqs ndodh kjo do të protestojmë pak më shumë para Teatrit. Besoj që qytetaria dhe ndjenja kombëtare do të mbizotërojë. Kemi kërkuar edhe nga presidenti Meta mos dekretimin e ligjit”, tha Alert Celoaliaj.

Aktori i mirënjohur, Bujar Asqeriu, i bën thirrje qeverisë që të mos e kafshojnë Teatrin.

Kërkojmë nga Kuvendi që të mendohet mire përpara së të votojë ligjin ujqëror për të kafshuar Teatrin Kombetar për të kafshuar historinë, dinjitetin dhe kulturën tonë…

Kini kujdes mos luani me artistët sepse janë njerëzit më të nderuar të kombit, kanë bërë historinë e kombit shqiptar.

Nëse votoni këtë ligj do të bëni një hap të gabuar. Mos e kafshoni teatrin. Po ju bëj thirrje për herë të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë