Pesë muajt e parë të këtij viti kanë shënuar një rritje të numrit të aksidenteve, jo vetëm të personave të plagosur por dhe të atyre që kanë humbur jetën.
Sipas statistikave zyrtare të INSTAT vetëm në muajin maj të këtij viti numërohen 120 aksidente rrugore, duke u rritur me 60.9% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
INSTAT sqaron se kjo rritje e dukshme ka të bëjë me faktin që vitin e kaluar kishte më pak qarkullim mjetesh për shkak të masave kufizuese.
"Për rrjedhojë edhe krahasimi pesëmujor paraqitet me një rritje prej 40,3 %, ku numërohen 547 aksidente rrugore nga 390 aksidente të ndodhura në pesëmujorin e parë të vitit 2020. Në muajin Maj 2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 151 persona nga 86 që ishte një vit më parë, duke u rritur me 75,6 %" thuhet në njoftimin e INSTAT.
Në pesëmujorin e parë të vitit 2021, numri i të aksidentuarve është 714 persona nga 513 persona, duke u rritur me 39,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Në muajin Maj 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 20 persona nga 9 persona të vdekur në Maj 2020. Në pesëmujorin e parë të 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 90 persona nga 58 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
SipasINSTAT aksidentet rrugore, në 84,2 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 24,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej.
“Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 20,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në pesëmujorin e parë të vitit 2021, aksidentet rrugore, në 18,5 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 42,3 %, krahasuar me një vit më parë” vlerëson INSTAT.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.