Gazeta Si - Apeli i GJKKO-së ka lënë sërish në burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i cili ka kërkuar për të gjashtën herë me radhë një ndryshim të masës së sigurisë pas arrestimit për korrupsion në zgjedhje.
Në Gjykatën e Posaçme Anti-Korrupsion, këtë të hënë, Beleri kërkoi një masë më të butë sigurie, si dhe leje për të bërë betimin para popullit të Himarës.
Para nisjes së seancës në ambientet e GJKKO-së, mbërriti edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamits për të parë më nga afër çështjen.
Por prania e saj nuk ka mjaftuar që gjykatësit e Apelit të GJKKO-së të ndryshonin masën e sigurisë për Belerin. Ndërkohë, javën e kaluar, dosja e SPAK për Fredi Belerin kaloi për gjykim.
Kjo nuk është hera e parë që ambasadorja greke bën lëvizje të tilla, pasi më herët e ka vizituar Belerin si në paraburgimin e Vlorës, ashtu edhe në burg, pas vendimit të GJKKO-së ndaj tij. Pak minuta pas saj, në GJKKO mbërriti edhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.
Shteti grek po lobon fort për të nxjerrë nga burgu Belerin, duke çuar edhe një amendament në Parlamentin Europian për lirimin e tij.
Fredi Beleri u arrestua në flagrancë dy ditë para zgjedhjeve lokale dhe vijon të mbahet në burg edhe pasi doli fitues në garën e 14 majit, nën akuzën për korrupsion në zgjedhje.
Në pamundësi për të bërë betimin si kryebashkiak, Beleri akuzoi kryeministrin Rama si personin përgjegjës që pengon dhënien e lejes së veçantë që ai të kryej betimin.
Sipas Belerit, nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë rrëzuar kërkesën e tij, pasi kjo do të përkthehej në kufizim të rëndë të të drejtave kushtetuese.
Kryeministri Rama vazhdimisht është shprehur se çështja Beleri i takon vetëm drejtësisë.
Ndërkaq gjyqi ndaj Belerit nis vetëm një ditë pas deklaratave të kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis, i cili gjatë një konference për shtyp, në Panairin e 87-të Ndërkombëtar të Selanikut, tha se nuk do të ndalonte së ngrituri këtë çështje dhe veçanërisht për faktin se autoritetet shqiptare nuk po e lejonin Belerin të ushtronte të drejtën e tij për t’u betuar si kryetar i zgjedhur i Himarës, për të cilën ai tha se ishte një shkelje e shtetit ligjor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.