Ndërrimi i trajnerëve ka dhënë efekt te Tirana dhe Laçi. Në ndeshjet e para të fazës së dytë të Superiores, këto dy skuadra kanë arritur fitore bindëse, Tirana 0-3 në transfertën e Gjirokastrës, kurse Laçi në shtëpi ndaj Vllaznisë po 3-0. Bylisi dhe Teuta kanë barazuar pa gola në Ballsh, duke ndarë nga një pikë.
Julian Ahmataj është i freskët në stolin e Tiranës dhe fati e deshi që të debutonte ndaj skuadrës që drejtoi sezonin e kaluar. Bardheblutë fituan 0-3 ndaj Luftëtarit, me gola të Torasës, Ngo dhe Hasanit. Trajneri elbasanas kishte bërë disa ndryshime në këtë ndeshje, ku gjithçka u bë më e lehtë nga dalja me karton të kuq e Prikas, i cili shkaktoi penallti, por Batha gaboi nga pika e bardhë. Gjithsesi, Tirana e pati të lehtë më pas ta kontrollonte këtë ndeshje, ku bindi në lojë dhe rezultat.
Armando Cungu e ka marrë para pak javësh drejtimin e Laçit, duke zëvendësuar Sulejman Starovën. Pas fitores me Teutën javën e kaluar, kurbinasit kanë mundur thellë edhe Vllazninë. Protagonist është bërë sërish sulmuesi Naubueze, autori i një dygolëshi ndaj shkodranëve, ndërsa golin tjetër e shënoi Lushkja.
Dy ndeshjet e tjera të javës së 10-të të kampionatit luhen nesër. Partizani kampion ndeshet me Kukësin rival, kurse Skënderbeu shkon në Vlorë për të luajtur me Flamurtarin. Kryesojnë me 17 pikë Bylisi, Tirana dhe Partizani, por të kuqtë kanë një ndeshje më pak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.