Bota

Nicolas Sarkozy shpallet fajtor për korrupsion, dënohet me 3 vite burg

Dënohet me 3 vite burg ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy, por do të kryejë vetëm 1 vit, pasi 2 janë pezulluar. Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy është shpallur fajtor për akuzën e korrupsionit, nga një gjykatë franceze. Sarkozy, i cili ishte president nga 2007 në 2012, mohoi vendosmërisht të gjitha akuzat kundër tij gjatë gjykimit 10-ditor që u zhvillua në fund të vitit të kaluar. Politikani 66-vjeçar dyshohet se është përpjekur të marrë në mënyrë të paligjshme informacion nga një magjistrat i lartë në 2014 në lidhje me një veprim ligjor në të cilin ai ishte përfshirë. Ish-Presidenti i kishte ofruar një punë në Monako gjyqtarit në këmbim të informacionit në lidhje me një hetim penal rreth partisë së tij.

Në çdo rast, aktakuza kundër Sarkozy sipas kodit penal parashikon dënime me burg prej 10 vjetësh, si dhe një gjobë, e cila në këtë rast arrin 1 milion euro. Ish-avokati i Sarkozy, Thierry Herzog dhe gjyqtari Azibert morën të njëjtin dënim nga gjykata.

Nga ana e tyre, prokurorët thanë se të dy, Sarkozy dhe Herzog u përpoqën të korruptonin gjyqtarin Aziber për informacion mbi një hetim mbi pretendimet se ish-presidenti francez kishte marrë fonde të paligjshme nga trashëgimtarja e L’Oreal, Lillian Betancourt, gjatë fushatës së tij të suksesshme presidenciale në 2007.

Ish-presidenti pritet të mos kalojë asnjë ditë në burg. Bazuar në vendimin që është marrë, gjykatësi tha se Sarkozy mund të qëndrojë në arrest shtëpie me një pajisje gjurmuese. Ish-presidenti pritet të apelojë vendimin. Vendimi, i dhënë këtë të hënë, shuan shpresat e Sarkozy për t’u kthyer në jetën publike, të paktën deri në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Avokatja e Sarkozy, Jacqueline Lafon, hodhi poshtë argumentet e prokurorit Gijon, ku argumentoi se transkriptimet ishin biseda midis miqve. Avokatët e Sarkozy e kanë përdorur këtë argument në mbrojtjen e tyre, por prokurorët kanë këmbëngulur që ligji francez nuk bën përjashtime nga përpjekjet e suksesshme ose të dështuara të ryshfetit. Paraardhësi i Sarkozy, Jacques Chirac, u shpall fajtor në 2011 për keqpërdorim të parave publike dhe iu dha një dënim me burg për dy vjet për veprime gjatë kohës së tij si kryebashkiak i Parisit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë