Politike

Ngrirjet e “rebelëve” në PS

Mbledhja më e fundit e kryesisë së Partisë Socialiste vulosi “dënimin” e Arben Ahmetajt, duke ia hequr edhe ofiqin e fundit, atë partiak, të drejtuesit politik të bastionit të socialistëve ku deputet i saj është Edi Rama, Qarkun e Vlorës.

“Se si organizohet një skuadër është e drejta e skuadrës dhe jo e tifozëve dhe spektatorëve. Pse duhet të jetë bërë diçka që të lëvizë nga një pozicion, do bëjmë edhe të tjera. Do shikojmë sipas nevojës së kësaj ndeshje, bëhet për zgjedhjet vendore ky largim”. Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë në lidhje me “ndëshkimin” e Arben Ahmetajt nga posti i shefit politik të qarkut të Vlorës.

LEXO EDHE:
Ku gaboi Ahmetaj që e hoqi? Rama: S’e bëra unë, vendimi lidhet me organizimin për zgjedhjet

Arben Ahmetaj me fitimin e mandatit të tretë të PS-së u caktua zëvendëskryeministër i qeverisë. Ahmetaj pati një karrierë të suksesshme, duke u bërë krahu i djathtë i Ramës. Postet që mbajti në 3 qeveritë socialiste ishin ministër Ekonomie, ministër i Financave dhe në fund zëvendëskryeministër, duke mos harruar që drejtoi procesin e rindërtimit i banesave të dëmtuara nga tërmeti 26 nëntorit të tre viteve më parë.

Metoda e ngrirjes së figurave të PS-së, apo e ndëshkimit të socialistëve që arritën majat e karrierës politike nuk është e panjohur në Partinë Socialiste.

Të njëjtin fat politik pati edhe Erion Braçe. Emërimi tij si zv.kryeministër u prit me ovacione nga socialistët në asamblenë e dhjetorit të 2018-s. Pas shumë përplasjeve, “rebeli” Braçe u ngri nga Rama, duke e lënë tashmë vetëm si deputet. “Ofiqi” i vetëm është ai i qenies si anëtar i Kryesisë së PS-së, i zgjedhur me votë nga anëtarët e Kongresit.

Po të kthehemi prapa në kohë kemi edhe Senida Mesin. Emërimi i saj si zëvendëskryeministre, një prurje e re nga bota akademike në Shkodër, u prit me habi dhe u pa si lëvizje surprizë e Ramës. Mesi nuk pati jetëgjatësi në politikë, ajo u shkarkua si zv.kryeministre, u hoq si drejtuese politike e qarkut dhe nuk përfshi në listat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndoshta i njëjti fat politik duket se po pret edhe ministren Edona Bilali. Kryesia e PS-së në mbledhjen më të fundit e hoqi Bilalin si drejtuese e Qarkut të Shkodrës.

Shkodra ka pasur përherë përplasje dhe një mungesë figure me peshë të socialistëve. Mjafton të kujtojmë këtu fatin e Ditmir Bushatit apo të Ilir Beqajt. Ditmir Bushati pas një ngrirjeje gati dy apo trevjeçare, duket se po “shkrin” dhe po rehabilitohet. Ai po angazhohet me strukturat e Partisë Socialiste. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm ka gjetur strehë duke qenë anëtar i kryesisë së PS-së, si dhe po angazhohet për ngritjen e Akademisë politike të socialistëve.

Precedentët flasin se këto ngrirje të figurave të PS-së mund të jenë të përkohshme, pasi të ndëshkuarit rikthehen një ditë, kur ka nevojë partia. Mjafton të kujtojmë rikthimin e Gjiknurit, të Klosit apo dhe të Majkos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë