Lajme

Ngrihet Qendra Ndërinstitucionale e Sistemeve të Sigurisë në Portin e Durrësit

Balluku: Rriten parametrat e sigurisë sipas standardeve të BE-së

Në Portin e Durrësit është drejt finalizimit ngritja e sallës së re Operacionale Ndërinstitucionale e Monitorimit dhe Komandimit të Sistemeve të Sigurisë. Kjo Qendër e re, e pajisur me teknologji të avancuar, do të shërbejë për mbikëqyrjen e hapësirave portuale, regjimin e hyrje-daljeve dhe rritjen e parametrave të sigurisë.

Pjesë e saj do të jenë punonjës të Forcës së Sigurisë Portuale, Policisë së Kufirit, Doganës dhe Kapitenerisë,  me qëllim bashkërendimin e punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjatë vizitës në Qendër, Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu bëri të ditur se është drejt përfundimit puna për plotësimin e kësaj salle me të gjitha pajisjet e nevojshme dhe së shpejti do të konkretizohet edhe marrëveshja ndërinstitucionale për menaxhimin e përbashkët të sallës me Policinë dhe Doganën.

Për Drejtorin e Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj, ngritja e kësaj salle “ishte shumë e nevojshme pasi shkëmbimi i informacionit mes agjencive ligjzbatuese në këtë moment është ai që ne na duhet më shumë. Kjo do jetë rruga më e shkurtër, për të shkëmbyer informacion apo për t’a marrë atë në kohë rekord”.

Kurse Ministrja Belinda Balluku e vuri theksin tek rëndësia e ngritjes së qendrave të tilla, ku janë të integruara mes tyre disa agjenci, duke rritur në këtë mënyrë monitorimin në zona të rëndësisë së veçantë, për të vepruar menjëherë ndaj çdo paligjshmërie që mund të konstatohet.

“Qendrat e integruara janë shumë të rëndësishme për ne. Ne po punojmë njëkohësisht edhe me Autoritetin Rrugor dhe Drejtorinë e Transportit si dhe Policinë e Shtetit për të krijuar një qendër të monitorimit të trafikut rrugor, që është shumë e nevojshme. E kanë të gjitha vendet e përparuara dhe Shqipëria në aspiratën e saj për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, duhet t’i plotësojë këto kushte. Porti i Durrësit po bëhet një shembull i mirë, duke pasur të gjithë kontrollin e territorit edhe me shpresë të realizojmë edhe planin tonë të madh për kontrollin detar me anë të radarëve dhe për të pasur një menaxhim të trafikut detar ashtu siç bëjmë me atë ajror, pra sipas parametrave dhe të gjitha kërkesave”, u shpreh Balluku.

Në këtë qendër do të integrohen pajisjet ekzistuese të vëzhgimit dhe sigurisë, do të shtohet numri i kamerave të reja inteligjente me alertime automatike, si dhe servera me kapacitet disa fish më të madh për ruajtjen dhe administrimin e pamjeve dhe të dhënave për një kohë të gjatë, duke i mundësuar organeve hetimore akses të shpejtë dhe të plotë në çdo moment.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë