Politike

Nga zëdhënës i PD e deputet, Gerti Bogdani dhe ambicia e tij e hershme për Bashkinë e Tiranës   

Gert Bogdani që nuk theu dot herësin për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2017, nuk u fut në listat e zgjedhjeve 2021, por rezultoi më pas kandidati më i votuar për anëtar kryesie (në kohën kur PD-ja drejtohej nga Lulzim Basha) i është kthyer ambicies së tij të vjetër për të garuar për bashkinë e Tiranës.

Detyra e  fundit partiake që Bogdani ka mbajtur në PD ka qenë ajo e Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë rreth pesë vite më parë. Asokohe ai dha dorëheqjen duke thënë se do angazhohet në sfida të reja që nuk u panë, të paktën publikisht.

Gjatë viteve të fundit herë pas here ai nuk e ka fshehur ambicien e tij për Tiranën.

Dy vjet më parë, kur diskutohej për mënyrën se si Basha duhet të hartonte listat për deputet, Bogdanit iu drejtua një pyetje jashtë kohës nëse do të kandidonte për Bashkinë e Tiranës.       

“.. Nëse do të ishte një propozim i tillë, nëse strukturat e PD, lidershipi i PD do ta kërkonin një gjë të tillë, unë nuk do t’i bëja bisht garës. Asnjëherë nuk i kam bërë bisht ndonjë gare dhe asnjëherë nuk i kam hyrë një gare për të humbur. Gjithmonë bëhet maksimumi për të fituar”, u shpreh Bogdani rreth dy vjet me parë.

Një qëndrim që Bogdani e ka mbajtur sërish të premten në një intervistë për Euronews.

”Asnjëherë s’i kam bërë bisht sfidave, dhe sidomos në këtë rast që është sfidë e rëndësishme. Prej kohësh ma ka kërkuar baza, qytetarët e Tiranës se ka ardhur koha për një ndryshim në Tiranë. Këta që firmosin lejet e ndërtimit nuk e shohin jetën në Tiranë”, tha Bogdani.

Sipas tij, situata që po kalon PD brenda vetes e bën më të vështirë, pas siç tha opozita ndodhet përballë një kundërshtari që ka para të bëra me korrupsion.

Karrierën politike Bogdani e ka fillua në vitin 2007, duke kandiduar për Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, një nga zonat që fitohej nga e majta. Bogdani rezulton më i votuari dhe më pas vijon aktivitetin si zëdhënës politik i PD.

Në CV-në e tij politike ai është zgjedhur deputet, kryetari i forumit dhe për disa vite edhe Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë