Erion Abule – Mungesa e zbatimit të rregullores dhe respektimit të ligjit në komisariate, por edhe në ambiente të jashtme, jo pak herë ka shkaktuar akuza dhe revolta ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.
Ngjarja e fundit, ku 31-vjeçari Ilvi Meta është vetëvrarë në ambientet e komisariatit të Kavajës me lidhësen e kapuçit të bluzës, lë jo pak vend për dyshime.
AMP deklaron se ndaj të riut nuk është ushtruar dhunë, ndërsa familjarët e tij pretendojnë se i riu u ka ngelur në “dorë policëve”.
LEXO EDHE:
– Hetimi për Klodianin dhe për policinë. A dinë të reagojnë policët teksa vihen në ndjekje të një të dyshuari?
– Sa dhunë nëpër komisariate! Raporti: Rastet nuk hetohen
– Çfarë raportuan zjarrfikëset? Bishta cigaresh ngado… Polici nuk kishte çelës ta hapte derën…
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që punonjësit e policisë akuzohen për dhunë apo tejkalim të kompetencave.
Vrasja e Klodian Rashës tronditi edhe politikën
Rasti më i bujshëm është vrasja e Klodian Rashës nga polici Nevaldo Hajdaraj, i dënuar me 10 vjet burg për “vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”.
Rasha u ekzekutua pak para mesnatës së 8 dhjetorit 2020 pranë banesës së tij në zonën e Laprakës, pasi Hajdaraj e ndoqi për ta ndëshkuar për shkeljen e orës policore të vendosur për shkak të pandemisë dhe mosmbajtjen e maskës anti-Covid.
Efektivët i kanë bërë thirrje për të ndaluar që në zonën e Don Boskos, por ai është frikësuar dhe ka vendosur që të largohet me vrap.
Pak orë pas ekzekutimit të tij, Policia e Shtetit lëshoi versionin se viktima ishte i armatosur dhe në një moment është kthyer nga efektivët që po e ndiqnin, duke i drejtuar një objekt që në dukje ngjante me një armë zjarri.
Gjë që u përgënjeshtrua nga familjarët dhe më pas u rrëzua edhe nga ekspertët.
Kjo hipotezë mori jetë edhe pas gjetjes së një pistolete pranë vendit ku ndodhi ngjarja, por që më pas rezultoi se nuk i përkiste 25-vjeçarit.
Ndërkohë, policia sekuestroi dy gëzhoja dhe një predhë që dyshohet se kanë dalë nga arma e policit.
I riu nuk mbërriti me shenja jete në spital, pasi plumbi që kishte marrë në kokë e kishte lënë të vdekur në vend.
SHÇBA doli në përfundimin se veprimet e Hajdarajt, bien në kundërshtim me procedurat standarte të përdorimit të armëve të zjarrit dhe se nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.
Dy ditë pas ngjarjes dhe protestave të dhunshme në rrugë, kryesisht në Tiranë, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen.
Zjarrvënia e qëllimshme e Arben Micit në Kamëz
Një ngjarje e rëndë u regjistruar pak më shumë se një muaj më parë, pikërisht në ambientet e një komisariati policie.
Bëhet fjalë për komisariatin numër 5 në Kamëz, ku si pasojë e një zjarri të rënë në ambientet e dhomave të personave të ndaluar, 26-vjeçari Arben Mici humbi jetën i asfiksuar nga tymi.
Në këtë ngjarje, një tjetër i paraburgosur dhe një punonjës policie, u dërguan në spital, por pa pasoja për jetën.
Mici, banues në Çerkezë, kishte dhunuar nënën e tij dhe ishte arrestuar.
I mësuar me shoqërime të herëpashershme, ai ndezi dyshekun prej sfungjeri dhe duke u mbyllur në tualetin e nëndheshëm të komisariatit, priti fundin e jetës.
Nuk u përgjigj edhe atëherë kur policët e kërkonin nëpër tym dhe flakë. Teksa shumë pikëpyetje rëndojnë mbi policinë e Kamzës dhe çdo ambient tjetër paraburgimi në komisariatet e kryeqytetit, efektivi Hajredin Boja dhe inspektori Fatmir Isufi ndodhen në burg.
Hetimet zbuluan se oficerët e sigurisë nuk respektuan procedurat për të ndaluarit në Komisariatin e Kamzës, duke i lejuar të ndaluarit që të mbante në qeli një çakmak me vete, që shkaktoi një ngjarje me pasoja të rënda.
Ekspertët e kriminalistikës gjetën materiale batanijesh dhe sfungjeri, si dhe një paketë duhani me tetë filtra.
Ndërkohë që në trupin e Arben Micit iu gjetën në xhepa pesë cigare, një paketë ‘Slims’, si dhe një çakmak me ngjyrë blu, me mbishkirmin “Bic”, ku këmbëza e gazit mungon.
Sipas ekspertëve, brenda tij kishte ka gaz, pasi u provua se çakmaku ndizej normalisht.
Vdekja e dyshimtë e Enea Ftoit në Korçë
Vdekja e 27-vjeçarit Enea Ftoi, i cili humbi jetën në komisariatin e Korçës në 17 maj 2018, ka mbetur akoma e pazbardhur, të paktën sipas familjarëve.
Prokuroria e Korçës e ka pushuar hetimin në lidhje me rastin e vdekjes në komisariat të të riut.
Prokurori i kësaj çështje, ka deklaruar se fakti i ndodhur nuk përbën vepër penale dhe prandaj kishte vendosur që të pushonte hetimin.
Në përfundim të hetimeve, çështja iu dërgua gjykatës, me kërkesë për pushimin e çështjes, edhe pse Avokati i Popullit dyshon se kamerat nuk kanë funksionuar.
“Pavarësisht pretendimit të familjarëve të viktimës, mbi Enea Ftoin policia nuk ka ushtruar dhunë. 27-vjeçari vdiq për shkaqe natyrore, si pasojë e ishemisë akute të miokardit. Enea Ftoi ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe vuante nga problemet në mushkëri”, – referoi prokurori i çështjes asokohe.
Prokuroria mori dëshmitë e policëve dhe disa personave të shoqëruar në Komisariatin e Korçës, në kohën kur i riu ndodhej i shoqëruar.
Por asnjë prej tyre nuk pohon ushtrimin e dhunës, thuhej në argumentimin e prokurorit.
Enea Ftoi ndërroi jetë më 17 maj në ambientet e paraburgimit të Korçës, ku kishte tre ditë që qëndronte, pasi ishte ndaluar për ‘vjedhje me dhunë’.
Ftoi, ditën kur ndodhi ngjarja, duhej të dilte në sallën e gjyqit për akuzën që rëndonte ndaj tij.
Ndonëse familjarët e prisnin në sallën e gjyqit, ata u njoftuan për ngjarjen e rëndë.
Fill pas ngjarjes, familjarët e viktimës hodhën akuza të rënda për policinë, pasi kishin dyshime se djali i tyre është dhunuar në paraburgim, gjë që i ka shkaktuar edhe vdekjen.
Nga komisariati në spital me duar të thyera: Më rrahu policia!
Një tjetër akuzë për shkelje të rëndë të rregullave, vjen nga një 39-vjeçar nga Tirana, i cili akuzon policinë për dhunë.
Arsen Qose, banues në kryeqytet, doli më 16 prill me duar të fashuara e hematoma në Gjykatë.
I riu akuzohej për mosbindje të forcave të policisë, por vetë Qose pretendon të kundërtën.
Pak ditë më parë, ai kishte festuar ditëlindjen në barin e një hoteli ku ishte akomoduar në Dajt.
Por, në gjendje të dehur, ai ishte zhveshur, gjë që ka bërë që pronari i hotelit të thërrasë forcat e policisë e ta denoncojë për lakuriqësi.
Arsen Qose u arrestua, por nga komisariati, përfundoi me të dyja duart e thyera në spital dhe për këtë i riu akuzon oficerët e policisë.
“Më kanë rrahur e më kanë masakruar policia, m’i ka thyer, është raporti i Spitalit Ushtarak, kam qenë i pavetëdijshëm”,- tha ai nga kafazi i mbyllur.
Ai doli përpara gjykatës për akuzën e kundërshtimit të policisë, meqenëse sipas Prokurorisë nuk iu bind oficerëve kur tentuan ta shoqëronin.
Por në procesverbale, edhe oficerët e policisë pretendojnë se janë dhunuar nga qytetari i dehur dhe se kanë fraktura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.